Viola Kapidani

Politikë

Vdekja e 43-vjeçarit në Durrës nga rryma elektrike, demokratja Viola Kapidani: Kjo është vrasje shtetërore! Prokuroria të nisë hetimet

16 Shtator, 11:47| Përditesimi: 16 Shtator, 11:50

  • Share

Sekretarja e Marrëdhënieve me publikun nga Partia Demokratike në Durrës, Viola Kapidani ka reaguar për vdekjen 43-vjeçarit Bardhyl Kaloshit më 11 shtator. Bardhyl Kaloshi ndërroi jetë pasi preku shtyllën e ndriçimit në rrugë dhe për pasojë ra në kontakt me rrymën elektrike.

Kapidani për mediat i ka bërë thirrje institucioneve për të reaguar për rastin në fjalë, duke risjellë dhe njëherë në vëmendje ngjarjen e ndodhur në vitin 2015 ku një 15-vjeçar ndërroi jetë po në të njëjtën formë.

Demokratja është shprehur e vdekja e 43-vjeçarit erdhi si pasojë e mosfunksionimit të shtetit dhe organeve përkatëse, ndërsa i kërkon prokurorisë të nisë hetimet për ngjarjen.

“Ngjarja e rëndë që ndodhi në qytetin tonë, ku humbi jetën tragjikisht 43-vjeçari Bardhyl Kaloshi, babai i tre fëmijëve, ka tronditur çdo qytetar të Durrësit. Humbja e jetës së tij nuk është një aksident i rastësishëm. Është një vrasje shtetërore, një krim institucional, i shkaktuar nga shpërfillja dhe papërgjegjshmëria e institucioneve.

Shtyllat elektrike janë pronë e shtetit. Banorët e zonës kishin ditë të tëra që kishin denoncuar rrezikun e shtyllës me qark elektrik. Por asgjë nuk u bë. Kjo tragjedi ndodhi në një kohë kur qytetarët e Durrësit po vuanin pasojat e përmbytjeve, dhe mbi dhimbjen e tyre u shtua edhe kjo humbje e rëndë.

Ky nuk është një rast i izoluar. Në vitin 2015, një adoleshent vetëm 15 vjeç humbi jetën në të njëjtën mënyrë. Historia po përsëritet, viktimat shtohen, por shteti nuk reagon.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë reaguar që në momentin e parë, duke ngritur zërin për këte krim shtetëror. Ky është një denoncim i radhës, sepse për fat të keq kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por një dramë e përsëritur që tregon qartë degradimin institucional.

Ndërkohë, deri në këtë moment, nuk kemi parë asnjë reagim nga Bashkia Durrës, kryetarja Emirjana Sako, apo OSHEE. Heshtja e tyre është tregues i qartë i papërgjegjshmërisë dhe i bashkëfajësisë institucionale.

Partia Demokratike Dega Durrës i bën thirrje Prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet. Përgjegjësia politike bie mbi kryeministrin Edi Rama, ministren Belinda Balluku dhe kryetaren e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako. Askush nuk mund të fshihet pas heshtjes.

Ne kërkojmë drejtësi për Bardhyl Kaloshin dhe familjen e tij. Kjo tragjedi nuk duhet të mbetet pa përgjegjësi. Jeta e qytetarëve nuk mund të jetë më viktimë e paaftësisë dhe shpërfilljes së shtetit.”

Bardhyl Kaloshi ndërroi jetë më 11 shtator në Durrës pasi preku shtyllën e ndriçimit dhe për pasojë ra në kontakt me rrymën elektrike. Po atë ditë, Durrësi u përmbyt nga reshjet e dendura të shiut.

K.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?