Vdekja e 4-vjeçares në Kosovë, dyshohet se u rrah nga fëmijët e të afërmve, prindërit akuzojnë mjekët për neglizhencë: Më thanë se ka infeksion

21 Shkurt, 15:30| Përditesimi: 21 Shkurt, 15:38

  • Share

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet për vdekjen e një 4 vjeçareje një ditë më parë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës ku ishte dërguar nga Spitali Rajonal i Gjakovës.

Ditë më parë, Arjana Hajra, së bashku me të bijën kishin vendosur t’i bënin një vizitë vëllait të saj, por të bijën e kishte lënë jashtë për të luajtur me fëmijët.

Më pas e kishte të voglën të shtrirë në tokë. Sipas Hajrës, vajza i kishte thënë se e kishin rrahur fëmijët e familjarëve që kishin shkuar t’i vizitonin.

‘E mora çikën, filloi të qajë. I thash çka ki, më tha ma ka hi Jakupi me dërrasë qitu dhe djali i Sabijes më ka rreh krejt. As ajo s’mkallxoi bash mirë. Tu ardh nuk mund të ecte, ‘oj mam zemra po më dhemb’, e morra në shpi e tash si me fjalë mo, e mora ajo vetëm qante’, ka thënë Hajra për Indeksonline.

Pasi e kishte dërguar në Spitalin e Gjakovës, familjes i ishte thënë nga mjekët se vajza kishte lëndime të rënda në kokë e në gjoks. Pas përkeqësimit të gjendjes, katër vjeçarja ishte dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare në Kosovë. Por nëna e saj pretendon e asaj iu dha një shkak tjetër, që për fat të keq, rezultoi me vdekjen e saj.

‘Në gjysë nate më ka thirr doktoresha me hy në sallë, ku ka qenë çika. Kom hy kam qëndruar me çikën dhe erdhi doktoresha dhe më tha, oj zojë nuk e ka prej të rrahurit, ka infeksion të madh. I ka shpërthyer gjakderdhja prej infeksionit të madh’, ka shtuar ajo.

Shkakun e vdekjes nga një infeksion, e përmend edhe Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, por ai nuk ka kthyer përgjigje kur është pyetur nëse 4-vjeçarja, kishte shenja të dhunës në trup. Pasi prindërit e vajzës së ndjerë kanë akuzuar spitalin për reagim joprofesional, spitali “Isa Grezda” në Gjakovë ka dalë me një sqarim shtesë. Sipas këtij reagimi thuhet se gjendja e vajzës ka filluar të përkeqësohet pas mbikqyrjes nga pediatri, ortopedi dhe kirurgu.

“Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë, në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmiut (4 vjeçar), fillimisht ju njofton se me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun , fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirugjisë. Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar. Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet. Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK. Shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashke ndjejmë me familjen” thuhet në reagim.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?