Foto e Jasveen Sangha, e postuar nga vetë ajo në Instagram, pas vdekjes së Perry

Vdekja e aktorit Matthew Perry, ja kush është ‘Mbretëresha e ketaminës’! Mikeshë e VIP-ave, që e ftonin edhe në galanë e 'Oscar'

17 Gusht, 13:39| Përditesimi: 17 Gusht, 17:01

  • Share

Vdekja në rrethana tragjike dhe shokuese e aktorit Matthew Perry ka çuar pas hekurave të qelisë të paktën 5 persona, mes tyre asistenti i tij, mjekë dhe madje furnizuesja me lëndën psikotrope që i shkaktoi fatalitetin ish-yllit të “Friends” më 28 Tetor 2023 në pishinën e tij, në Los Anxhelos.

E quajtur edhe si “Mbretëresha e Ketaminës” nga prokurorët amerikanë, tregtarja e dyshuar e drogës Jasveen Sangha është një nga pesë personat që zyrtarët amerikanë thonë se furnizuan me ketaminë të ndjerin Perry, duke shfrytëzuar varësinë e tij ndaj drogës për përfitime dhe duke e çuar në vdekjen e tij nga mbidoza.

Sangha tani përballet me nëntë akuza, duke përfshirë konspiracion për shpërndarjen e ketaminës dhe shpërndarjen e ketaminës që rezulton me vdekje. Prokurori i çështjes u shpreh se “ata e dinin që po bënin gjënë e gabuar”.

Shtetasja amerikano-britanike u vetëdeklarua e pafajshme për akuzat të enjten. Kërkesa e saj për lirim me kusht u refuzua nga zyrtarët amerikanë dhe ajo do të qëndrojë në paraburgim deri në gjyqin e saj në tetor.

Aktakuza pretendon se shpërndarja e ketaminës nga Sangha më 24 tetor 2023, shkaktoi vdekjen e Perryt më pas. Ketamina është një anestezik që ka disa efekte halucinogjene, sipas Administratës Amerikane për Zbatimin e Drogës (DEA) dhe kryesisht përdoret nga pacientë me probleme ankthi dhe depresioni. Perry po trajtohej prej kohësh për varësinë nga lëndët narkotike dhe alkooli, ndaj i ishte ndaluar përdorimi i psikotropeve pa rekomandim mjekësor sipas rastit.

Një zëdhënës i Administratës së Zbatimit të Drogës (DEA) tha: “Kur mjekët në klinikë refuzuan të rrisnin dozën e tij, Perry iu drejtua mjekëve të paskrupullt, të cilët e panë atë si një mënyrë për të fituar para të shpejta”.

Në të njëjtën kohë, prokurorët pretendojnë se “Cavez po i jepte ketaminë Placentia-s, duke siguruar një pjesë të ilaçit nga një shpërndarës me shumicë përmes një recete false”

Në mbështetje të argumentit flagrant të shfrytëzimit, ekipi i akuzës vuri në dukje se “Placentia i ngarkoi Perry 2,000 dollarë një dozë që i kushtoi Dr Chavez-it rreth 12 dollarë”.

Jasveen Sangha, e quajtur edhe 'Mbretëresha e ketaminës'

Substanca supozohet të administrohet vetëm nga një mjek, thonë hetuesit, dhe pacientët që kanë marrë ilaçin duhet të monitorohen nga një profesionist për shkak të efekteve të tij të mundshme të dëmshme.

Sangha dyshohet se ka furnizuar me ketaminë nga “shtëpia e saj e fshehtë”, që të paktën nga viti 2019.

Shtëpia e saj në Hollywood-in Verior ishte një “perandori (emporium) e shitjes së drogës”, tha Martin Estrada, prokurori amerikan për Qarkun Qendror të Kalifornisë, në një konferencë shtypi.

Më shumë se 80 shishe me ketaminë dyshohet se u gjetën atje në një kërkim, së bashku me mijëra pilula që përfshinin metamfetaminën, kokainën dhe Xanax.

Godina quhej edhe “Shtëpia Sangha Stash”, vendi ku ajo dyshohet se kishte paketuar dhe shpërndarë drogë. Ajo “merret vetëm me nivele të larta dhe të famshëm”, citonte aktakuza për të dyshuarën dhe bashkëpunëtorin e saj Erik Fleming.

Sangha thuhet se është përzier me të famshëm edhe në shoqëri, sipas raportimit të “Daily Mail” dhe se ajo “mori pjesë në Golden Globes dhe Oscars”. Menjëherë pas mbidozës së Perry-t, ajo postoi foto që përshkruanin stilin e saj ekstravagant të jetesës, duke përfshirë festa dhe një udhëtim në Japoni dhe Meksikë.

Dhe një ditë para se të shpalleshin arrestimet, aktiviteti i saj në rrjetet sociale sugjeron se ajo shkoi në një parukeri, duke i lyer flokët ngjyrë vjollcë. Llogaria në Instagram, ku u ndanë këto postime, u konfirmua se i përkiste asaj nga një zëdhënës i Prokurorisë së SHBA-ve, në Qarkun Qendror të Kalifornisë.

Prokurorët pretendojnë se Sangha erdhi për të furnizuar me ketaminë Perry-n, pasi i pandehuri tjetër Salvador Plasencia fillimisht mësoi se aktori ishte i interesuar për drogën. Doktor Plasencia e mori atë nga doktor Mark Chavez, një tjetër i pandehur në këtë rast, i cili kishte operuar më parë një klinikë ketamine.

Ata pretendojnë se Plasencia gjithashtu i mësoi asistentit të Perry-t, të bashkë-akuzuarit Kenneth Iwamasa, se si të injektonte Perry-n me ketaminë. Por ajo dozë e fundit ishte fatale, duke e kaluar në mbidozë që i mori jetën me asfiksim në organet e frymëmarrjes dhe pa njeri afër që t’i jepte ndihmën e parë dhe ta shpëtonte.

Duke filluar nga tetori 2023, Sangha filloi të furnizonte Iwamasa me ketaminë dhe prokurorët thonë se ajo e dinte se ketamina që shpërndante mund të ishte vdekjeprurëse. /BBC/

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?