ITALI – Gjykata la në burg 15-vjeçarin shqiptar me inicialet M.C.S, që akuzohet për vrasjen e 14-vjeçares – po ashtu shqiptare – Aurora Tila, e cila vdiq pasi ra nga tarraca e një papafingoje në katin e shtatë të një pallati, mëngjesin e 25 tetorit në rrugën 'IV Novembre', Piacenza.
Gjyqtari i çështjes pranoi kërkesën e prokurorisë për lënien në paraburgim të adoleshentit në institutin për të mitur Pratello në Bolonja.
Prokuroria dyshon se i dashuri i 14-vjeçares ka shtyrë këtë të fundit mbi parmakët e katit të shtatë të pallatit në Via Fulgosio, nga ku ajo ra rreth 9 metra duke përfunduar në një tarracë të një ndërtese pesëkatëshe.
Prokurori i çështjes, Simone Purgato dhe Karabinierët e njësisë hetimore të Piacenzës mbështetën kërkesën për masën arrest me burg në disa prova dhe dëshmi kyçe.
Një nga dëshmitarët ka pretenduar se ka parë ngjarjen. Sipas dëshmitarit – ende të paidentifikuar – Aurora përpiqej të mbahej në parmakët e ballkonit të katit të shtatë, ndërsa djali i godiste duart vazhdimisht derisa ajo bie në tarracën e pallatit ngjitur, nga lartësia 9 metra.
Ndërkohë, autopsia e trupit të së ndjerës konfirmoi shenjat në duart e saj, ku sipas dëshmive, e godiste i dashuri 15-vjeçar.
15-vjeçari shqiptar u arrestua të hënën (28 tetor 2024) dhe u dërgua në institutin penal për të mitur në Bolonjë, një godinë ngjitur me gjykatën ku seanca për vendosjen e masës u mbajt me dyer të mbyllura.
Këtë të enjte (31 tetor 2024) autoritetet italiane kanë njoftuar se do të nisin analizat e aparateve celularë dhe pajisjeve të tjera të sekuestruara.
Varrimi i Aurorës do të mbahet të martën më 5 nëntor në Katedralen e Piacenza, në orën 15:00.Pas varrimit, 13-vjeçarja do të digjet, me kërkesë të familjes.