Në lidhje me vdekjen e 36-vjeçarit Mentor Rexha, me origjinë nga Lezha, në një burg të Francë ka reaguar edhe Ministria e Jashtme, e cila shprehet se është e angazhuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kthimin e trupit të të ndjerit në atdhe. Në lidhje me dyshimet e familjarëve për shkaqet e vdekjes së të riut, Ministria shprehet se ka kërkuar informacion nga autoritete franceze dhe është në pritje të njoftimit të tyre.Ministria e Jashtme thekson se në bashkëpunim më Ambasadën shqiptare në Francë, që nga momenti i njohjes me ngjarjen, ka përcjellë nga afër çdo praktikë ligjore dhe ka qëndruar në kontakte të pandërprera me familjarët e 36-vjeçarit Rexha.
Ndërsa për procedurat e kthimit të trupit të shtetasit Mentor Rexha në Shqipëri, Ministria e Jashtme njofton se Ambasada i ka informuar familjarët sipas legjislacionit në fuqi. Ditën e djeshme, në një prononcim ekskluzivisht për Shqiptarja.com, ambasadori shqiptar në Francë, Dritan Tola tha se Ambasada shqiptare në Francë nuk ka kompetencë ligjore për të dërguar trupin në atdhe, por i përket shërbimit social.
'Ditën e shtunë, datë 8 shkurt 2020, të afërmit mundën të vizitojnë trupin e të ndjerit. Gjatë kontaktit me Ambasadën shqiptare, ata shprehën dyshime lidhur me shkaqet e vdekjes së tij. Bazuar në këto pretendime, Ambasada shqiptare në Francë ka kërkuar informacion suplementar nga autoritetet franceze mbi ngjarjen dhe ka sugjeruar që paralelisht familja e të ndjerit të kontaktojë një avokat për ndjekjen e çështjes nga ana ligjore. Ambasada është në pritje të një informacioni zyrtar më të detajuar nga ana e autoriteteve policore dhe gjyqësore franceze, në lidhje me të gjitha pretendimet dhe dyshimet e ngritura nga të afërmit e shtetasit Mentor Rexha. Në lidhje me procedurat e kthimit të trupit të shtetasit Mentor Rexha në Shqipëri, Ambasada i ka informuar familjarët sipas legjislacionit në fuqi. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe Ambasada shqiptare në Francë mbeten të angazhuara për zbardhjen e ngjarjes me autoritetet franceze dhe kthimin e shpejtë të trupit të të ndjerit në atdhe', thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
36-vjeçari Mentor Rexha ndërroi jetë më 1 shkurt teksa ndodhej në qeli në një burg në Francë. Autoritetet franceze u kanë thënë se Mentor Rexha është vetëvrarë, por familjarët në një komunikim ekskluziv me Shqiptarja.com ngrenë dyshime se i afërmi i tyre mund të jetë torturuar pasi kanë parë shenja dhunë në fytyrë, trup dhe një të çarë në kokë. Familjarët thonë se janë njoftuar me vonesë për lajmin tragjik, dhe jo nga burime zyrtare.
Lajmi kryesor:
Vdekja e shqiptarit në burgun e Francës/Flet nëna: Ma kanë mbyt djalin dhe haber s'na kanë sjellë! I lutem Ramës që t'ma sjellë trupin në shtëpi (VIDEO)
G.M./ReportTv.al