Vdekja e Floyd-Vazhdojnë protestat në SHBA! Nju Jork-u shndërrohet në fushë beteje...Marshime kundër racizmit në Europë

3 Qershor 2020, 09:15| Përditesimi: 3 Qershor 2020, 13:57

  • Share

Në Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar protestat për vrasjen e një afrikano-amerikani në Mineapolis, teksa shumë shtete kanë vendosur masën e shtetrrethimit për të parandaluar trazirat, dhunën dhe plaçkitjet.

Presidenti Donald Trump po rrit presionin ndaj guvernatorëve për të angazhuar Gardën Kombëtare një ditë pasi ai kërcënoi për ndërhyje të ushtrisë kundër trazirave dhe plaçkitjeve.

Në Uashington, automjetet e blinduara ushtarake dhe policia janë pozicionuar në rrugët e qytetit.

Në Nju Jork ka raportime për disa plaçkitje dhe dëme në prona. Policia nga ana e saj ka deklaruar se ka bërë rreth 200 arrestime.

Edhe në Ëashington, Houston, Los Angeles e Minneapolis, mijëra amerikanë po vazhdojnë protestat për George Floyd, afrikano-amerikanit të vrarë nga policia. Përleshjet me forcat e rendit kanë ndodhur veç në Nju Jork edhe në Atlanta

Një tjetër viktimë nga ana e policisë është regjistruar këtë herë në Saint Louis, në Misuri, gjatë plaçkitjeve të kryera nga grupe vandalësh

Po protesta nuk ka patur vetëm në SHBA. pas vrasjes së George Floyd, mijëra qytetarë evropianë kanë dale gjithashtu në rrugë për të protestuar ndaj diskriminimit dhe dhunës së policisë, si në Itali, Francë, Greqi, Britaninë e Madhe, Suedi, Gjermani e Norvegji për të kujtuar se edhe në Europë ka viktima prej racizmit dhe përdorimi i tepërt i forcës.

Afrikano-amerikani, George Floyd, 46 vjeç, vdiq javën e kaluar, pasi u ndalua nga oficerët policorë

Disa video të publikuara kanë treguar sesi një polic i bardhë, gjatë arrestimit të George Floyd, ushtroi mbi të dhunë duke I mbajtur gjurin në qafë ndërsa Floyd dëgjohej duke bërtitur "të lutem, nuk mund të marr frymë" dhe "mos më vrit".

Katër oficerët e përfshirë në çështjen Floyd janë pushuar nga puna. Ndaj policit që përdori forcën është ngritur kallëzim penal.

Ora 16:38
Vdekja e Floyd -Shpërthen dhuna në Paris për vrasjen e të riut me ngjyrë

Rreth 20,000 protestues kanë demonstruar dhunshëm mbrëmë në Paris në kujtim të vrasjes në 2016 të një të riu me ngjyrë në duart e policisë franceze, teksa sloganet e pankartat reflektonin protestat për vrasjen e George Floyd në SHBA.

Shpejt protesta franceze u kthye në turbullirë të dhunshme teksa njerëzit ndezën zjarre në sheshin para gjykatës Tribunal de Paris dhe policia përdori gaz lotsjellës e plumba gome kundër demonstruesve demonstruesve.

Protestat nisën pas publikimit të dy raporteve të ndryshme mjekësore mbi vdekjen e 24 vjeçarit Adama Traore, 24-vjeçari me ngjyrë që vdiq në korrik 2016 kur tre oficerët që po e arrestonin e mbanin përtokë me të gjithë peshën e trupave të tyre.

Protestuesit brohorisnin, ‘I can’t breathe,’ fjalët e fundit të George Floyd para se të vdiste në Minneapolis në SHBA.

Policia franceze përdori gaz lotsjellës ndërsa protestuesit reaguan duke goditur me gurë e fishekzjarre në bulevardin Boulevard Périphérique në kryeqytet, ku bllokuan qarkullimin dhe hipën mbi kamionë.
Tensione shpërthyen gjithashtu në qytetin jugor Marseille ku u grumbulluan disa mijëra protestues.

Ora 10:11
Vëllai i George Floyd-it bën thirrje për protesta paqësore në SHBA

Një turmë e madhe njerëzish u mblodhën para dyqanit Cup Foods në Mineapolis për të nderuar afrikano-amerikanin George Floyd.

 Familjarë dhe pjesëmarrës vendosën lule në vendin, ku George Floyd arrestua dhe më pas vdiq. Vëllai i tij, u bëri thirrje pjesëmarrësve për protesta paqësore, duke thënë se veprimet e dhunshme nuk do ta ringjallin George Floydin.

“Unë e kuptoj që ju të gjithë jeni të mërzitur, por dyshoj që jeni aq të mërzitur sa unë, ndoshta as gjysëm të mërzitur. Kështu që, nëse unë nuk fyejë njerëzit dhe nuk hedh në erë gjëra, nuk bëj rrëmujë në komunitetin tim, atëherë çfarë po bëni ju? Nuk po bëni asgjë. Këto gjëra nuk do të rikthejnë vëllain tim. Mund t’ju bëjnë të ndjeheni mirë për një moment, ashtu si pirja e alkoolit, por kur të zgjoheni ju do të pyesni veten se çfarë keni bërë”.

Floyd theksoi se ai dëshironte që njerëzit të arsimoheshin, të votonin dhe të mos shkatërronin komunitetet e tyre. “Ta bëjmë këtë në një mënyrë tjetër,” tha ai, para protestuesve të mbledhur.

“Të ndalojmë së menduari se zëri ynë nuk ka rëndësi, le të votojmë! Jo vetëm për presidentin, por në zgjedhjet paraprake, të votojmë në zgjedhjet e të gjitha niveleve. Të arsimojmë veten. Mos prisni që dikush tjetër t’u tregojë se kush janë kandidatët. Mësojeni vetë dhe vendosni se për cilin kandidat do të votoni. Dhe kështu do t’i godasim ata. Sepse ne jemi një grup i madh.”

Vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd ishte e fundit në një seri incidentesh të ngjashme që nxitën zemërim dhe protesta kundër racizmit në mesin e forcave të zbatimit të ligjit. Incidenti rindezi zemërimin në vendin e ndarë nga pikëpamja politike dhe racore, të goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit, që ka goditur më rëndë afrikano-amerikanët. Shumë qytete të prekura nga trazirat sapo kanë rifilluar disa aktivitete normale ekonomike pas masave kufizuese mbi dy mujore për frenimin e përhapjes së Covid-19, që ka vrarë mbi 104,000 njerëz dhe ka lënë pa punë mbi 40 milion vetë.

Ora 09:26
Vdekja e Floyd-Autoriteteve në SHBA u kërkohet të ndalojnë sulmet ndaj gazetarëve

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u kërkoi autoriteteve amerikane të ndalojnë të sulmojnë gazetarët dhe punonjësit e mediave, që mbulojnë protestat në SHBA, dhe të sigurojnë se shtypi nuk preket nga kufizimet e orës policore.

Që nga 29 maji, së paku 125 “shkelje të lirisë së shtypit” janë raportuar në SHBA nga gazetarët që mbulojnë protestat kundër vrasjes së George Floydit, tha Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve - organizatë me seli në Nju Jork.

Floyd, afrikano-amerikan, ka vdekur gjatë arrestimit nga policia, më 25 maj, në Mineapolis të Minesotës.

“Jemi të tmerruar nga veprimet e ashpra dhe nganjëherë të dhunshme të policisë kundër gazetarëve që bëjnë punën e tyre", tha drejtori i programit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Carlos Martinez de la Serna.

Organizata përmendi shembullin e dy fotoreporterëve që u arrestuan më 29 maj derisa punonin në Las Vegas të Nevadës.

Ata u akuzuan për “dështim për t’u shpërndarë”, përpara se të liroheshin ditën e nesërme, raportuan mediat lokale.

Grupi shtoi se policia ka goditur dhjetëra gazetarë të tjerë me gaz lotsjellës ose plumba gome.

Edhe përfaqësuesi i mediave pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Harlem Desir, shprehu shqetësimin e tij për “valën e dhunës” së policisë dhe demonstruesve kundër gazetarëve që mbulojnë protestat.

“Shumë nga këto incidente përfshijnë arrestime dhe përdorim të forcës nga policia dhe akte të dhunës nga protestuesit”, tha Desir.

Ai u bëri thirrje autoriteteve që të ushtrojnë përmbajtje dhe të sigurojnë se gazetarët janë të sigurt derisa raportojnë për protestat publike.

Disa qytete dhe shtete në SHBA kanë vendosur orë policore në përpjekje për të ndaluar protestat - disa prej të cilave janë shndërruar në dhunë - por jo të gjithë urdhrat për orë policore kanë përjashtuar në mënyrë specifike anëtarët e shtypit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?