Vdekja e Jani Rustemajt pas arrestimit për vjedhje, burime nga AMP: Ende s’janë gjetur shkelje! Nëna e 27-vjeçarit për Report Tv: Djalin ma kanë dhunuar

21 Maj 2023, 15:39| Përditesimi: 21 Maj 2023, 15:49

  • Share

Pas vdekjes në spital të Jani Rustemit, 27 vjeç, hetimi i nisur nga AMP për procedurat e ndjekura nga policia në rastin e tij, pritet të ketë zhvillime të reja. Edhe pse nga verifikimi paraprak, burimet thonë se nuk ishin evidentuar shkelje, humbja e jetës së të riut, pritet të shoqërohet me një verifikim të thelluar jo vetëm për pretendimet për dhunë, por edhe për kohën e dhënies së ndihmës mjekësore dhe nëse ajo ka qenë e duhura.

Ishin familjarët e tij që bënë kallëzim në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore ku nëna e tij, Pranvera Rustemaj, thotë për Report Tv se djali i saj është dhunuar ndërsa deklaron se Jani nuk kishte marrë asnjëherë metadon, ilaçi që përdoret si mjekim për përdoruesit e drogës.

“Djali im nuk vdiq nga metadoni, djalin tim e ka rrahur policia e shtetit. Ka pyetur shumë çuna që vijnë marrin metadon këtu, më thanë zonjë djalin tënd se kemi parë asnjëherë këtu që të vijë të marrë metadon. Të hapin kamerën se ka kamerë këtu. E pashë vetë kamerën tani këtu. Ta hapin kamerën të shohin ka ardhur djali im këtu apo jo”, thotë nëna për Report Tv.

Përkundrejt pretendimeve për dhunë nga policia të dhënë për mediat të Pranvera Rustemajt, burime pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore i thanë Report Tv se vetë gruaja ka firmosur të kundërtën, duke hequr dorë nga ky pretendim. Megjithatë, duket se do të jetë autopsia ajo që do të zbardhë të vërtetën.

Trupi i pajetë i 27-vjeçarit, që njihej si përdorues lëndësh narkotike, i është dorëzuar Mjekësisë Ligjore, e cila pritet të thotë fjalën e fundit për shkakun e vdekjes. Raporti i autopsisë, do të ndihmojë policinë dhe prokurorinë për të zbardhur shkakun e ngjarjes dhe shkeljet apo neglizhimet e mundshme në trajtimin e rastit të Jani Rustemajt.

Vdekja e 27-vjeçarit ndodhi pas arrestimit të tij më 13 prill ndërkohë që tri ditë më vonë ai u dërgua në spital. Në një raport të Komitetit Shqiptar të Helsinkit thuhet se brenda Bllokut të Sigurisë i është dhënë sasia prej 40 mg në ditë, çdo 24 orë, në tre ditë, gjatë kohës që ka qenë i akomoduar aty, konform praktikës së bashkëpunimit me qendrën Aksion Plus, u trajtohej para se të arrestohej për vjedhje.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit nënvizon se Jani Rustemaj është diskriminuar për shkak se ishte rom, pasi  27-vjeçari nuk është ishte marrë nga “313-a” me pretendimin e mbipopullimit, por kjo nuk rezulton e vërtetë pasi 50 vende kanë qenë të lira. Ndërkohë, paraburgimi “302” e refuzuar me arsyetimin “nuk pranonte këtë kategori të arrestuarish”, duke nënvizuar diskriminimin racor, por edhe justifikimin e vetë të riut me pretendimin se ka një hasëm aty.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 22/05/2023 01:43

    Nenoo! Djali jot s'kishte nevoje per metadon se merrte droge.Metadoni perdoret nga ata qe duan te terhiqen nga varesia e drogave te forta,ose nga ata qe duan droge,por nuk e kane perhere /pronto/ per 100 arsye dhe keshtu per te mos ndjere pasojat e terheqjes marrin metadon.Te vetmin keqtrajtim qe i eshte bere te ndjerit mendoj qe nuk e kane trajtuar si V.I.P. e politikes,drejtesise,biznesit e art-kultures qe kur arrestohen per krime te renda ordinere,i dergojne ne shtepi,ose ne spital,sapo i zene <<te prerat e barkut te zemres>>.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?