Viktima Lear Kurti

Vdekja e Lear Kurtit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Punonjësit e policisë ta dërgonin me urgjencë në spital dhe jo komisariat! Të hetohen veprimet e tyre

21 Tetor 2022, 16:59| Përditesimi: 21 Tetor 2022, 18:03

  • Share

Komiteti Shqiptar i Helsinkit në një reagim zyrtar thotë se policia ka vepruar në kundërshtim me nenet e Kushtetutës, për shoqërimin e të riut Lear Kurti, që ndërroi jetë një ditë më parë në komisariatin e policisë. Sipas Komunitetit Shqiptar të Helsinkit, punonjësit e policisë duhet të kishin dërguar të riun me urgjencë në spital jo në komisariatin e policisë, pasi ato e kanë konstatuar menjëherë se ai është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

KSHH bën thirrje që prokuroria të hetojë ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga forcat e policisë, shkakun e vdekjes së viktimës dhe nëse kjo ngjarje mund të parandalohej, në kushtet e veprimeve apo mosveprimeve që përfaqësuesit e rendit publik kishin si detyrim të kryenin.

‘Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) duke marrë shkas nga të dhënat e medias të datës 20.10.2022 mbi 32 vjeçarin L.K, sipas të cilave rezultonte se ai ishte shoqëruar ne Komisariatin e Policisë nr. 3 (Tiranë), dhe në vijim ishte dërguar në Spitalin e Traumës ku ishte konstatuar vdekja e tij, vlerësoi të nevojshme që këto të dhëna të verifikohen në vend.

KSHH e sheh të nevojshme të përmendë se në rastin konkret, nuk ndodhemi as para shoqërimit, ndalimit dhe as para arrestimit në flagrancë, që parashikon Kodi i Procedurës Penale. Në këto rrethana, punonjësit e Policisë kanë vepruar në kundërshtim me nenin 27 të Kushtetutës dhe nenit 5 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që parashikojnë rastet kur mund të kufizohet liria e personit.

Nga të dhënat e verifikuara nga Raporti i shërbimit, i hartuar nga salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ka rezultuar se gjendja jo e mirë shëndetësore e shtetasit L.K. është konstatuar nga forcat e rendit në orën 23:34. Duke patur parasysh sa më sipër, punonjësit e Policisë do të duhej të zbatonin në mënyrë strikte nenin 17 pika “a” dhe nenit 89 pika “c” të Ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, duke transportuar menjëherë dhe në mënyrë urgjente shtetasin L.K. në spital, dhe jo ta çonin në ambientet e Komisariatit.

Duke mbajtur në konsideratë natyrën e çështjes, në raste të tilla është organi i Prokurorisë që duhet të hetojë më tej për ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga forcat e policisë, shkakun e vdekjes së viktimës dhe nëse kjo ngjarje mund të parandalohej, në kushtet e veprimeve apo mosveprimeve që përfaqësuesit e rendit publik kishin si detyrim të kryenin.’- reagimi Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Kujtojmë se Lear Kurti ndërroi jetë në duart e policisë, por rrethanat mbeten ende të paqarta dhe pritet të zbardhen nga ekspertizave. Në ekspertizën paraprake rezultoi se i riu Lear Kurti ka ndërruar jetë si pasojë e overdozës pasi në stomak i është gjetur një përmbajtje plastike disa cm. Gjatë ndjekjes, burime bëjnë me dije se 32-vjeçari kishte me vete një dozë kokaine, të cilën mendohet ta ketë gëlltitur nga frika gjatë ndjekjes nga policia pasi nuk donte të arrestohej. Në stomakun e 32-vjeçarit ka pasur shenja hemoragjie, çka mund të jetë shkaktuar nga gëlltitja e lëndës plastike ku dyshohet se mbahej lënda narkotike.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 22/10/2022 01:41

    Nje hetim eshte me se i nevojshem,por per pakujdesi.Policet duhet t'a kishin kontrolluar dhe nuk duhet t'a linin ne asnje cast vetem,qofte dhe ne sediljen e prapme te makines se burgut,apo te policise.Gjithashtu nje hetim i duhet bere sistemit te policise ne pergjithesi dhe praktikave qe ndjekin.Nuk dihet nese policet e kane pyetur kur e kane pare te keqesohej,se cfare ndiente,apo nese kishte marre ndonje droge.Nje mungese trainimi ose keq trainimi nga ana e eproreve te policeve te thjeshte vihet re ne kete rast.Gjithashtu policia do te ishte mire te jete e pajisur me antidoda per overdoza,helmime gjarperinjsh dhe antialergjike te ndryshem,ne rast se personat kalojne ne shok nga pasojat dhe nje trajnim si te sillen ne keto raste do te ishte me se i nevojshem.Ketu te ne ka patur raste qe policet kane asistuar kur ka pasur lindje femijesh ne situata te pazakonta;e dhashe kete si shembull se si vepron nje polic i miretrainuar ne mungese,ose kur vonohen paramediket dhe ambulancat.Nje trainim i policise per raste emergjente shendetsore,si te sillen,si te veprojne,si t'i dallojne,apo kuptojne keto situata duhet bere patjeter.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?