Alba Malltezi: Vdekja e Lear Kurtit si një test nëse në Shqipëri strehohet njerëzorja

24 Tetor 2022, 11:31| Përditesimi: 24 Tetor 2022, 12:24

  • Share

Trupi i Lear Kurtit pa jetë në spitalin e traumës shokon. Shokon përherë të shohësh një të ri pa jetë. Në kulmin e forcave dhe të ëndrrave, ashtu, të pafuqishëm nën flebot dhe mbi krevatin e çarë të urgjencës, pa fjalë, pa një përgjigje. Ai që fjalët dhe përgjigjen e tij me siguri duhet ta kishte të flaktë.

E thotë dhe nëna e tij që e priste përnatë djalin e saj të vetëm. E linte pa gjumë. “E kërkonim nëpër Tiranë, - tregon e sinqertë në mikrofonin e gazetares Klodiana Lala, - por të gjithë e donin. Ishte djali i gjithë Tiranës”. Pastaj, me zërin që i dridhet shton se djali i saj ishte i fortë, rezistonte shumë, po ashtu thotë se ishte edhe pak nevrik dhe se ajo përherë e këshillonte që të kishte kujdes. Pinte dhe hashash, si shumë të rinj... por ai ishte djali i saj i dashur. I gjallë.

Një nënë hap zemrën duke treguar të mirat dhe problemet dhe të njëjtën gjë duhet të bëjnë dhe të gjithë strukturat shtetërore sot që ai nuk jeton më. Por edhe kjo nuk mjafton: Strukturat shtetërore duhet të jenë supertransparente me median dhe me avokatët dhe familjen e të riut, cilido qoftë dhe çfarëdo që ai të ketë bërë.

 Ishte shok me Shullazin? Ishte shpërndarës apo përdorues droge? Asgjë nga këto nuk mjafton për të mos qenë njerëzorë përballë një vdekje, e sidomos, me transparencën dhe korrektësinë e informacionit, për të mbajtur larg kufomës së të riut ato hijena që përherë kërkojnë të përfitojnë. Jo për Learin, por për të shpëtuar veten.

Shoku i Learit, që me të ishte deri në shoqërimin komisariat, zbulon diçka që as nëna e tij nuk e di: Epilepsinë. Shokët shpesherë dinë edhe më shumë se prindërit, por që edhe këtu duhet të ketë një sqarim të paanshëm dhe të drejtë, informacioni duhet të jetë nën dritë për të gjithë: Pak ditë më parë Learti i ndjerë u dërgua prej tyre në spital pas problemeve me alkoolin apo për probleme me epilepsi? Apo ishin të ndërthurura bashkë?

Hija e dyshimit mbi policinë është tepër e madhe për ta kaluar me “fajin” se Leari gëlltiti qeskat me kokainë. Ka ndodhur që policët kanë goditur duke vrarë, ashtu siç ka ndodhur që vajza dhe djem kanë vdekur pasi kanë gëlltitur qese me kokainë. Kjo duhet sqaruar qartë dhe deri në fund, e me çdo kusht, që të jetë e qartë për të gjithë.

Ne jemi një vend i vogël, me njerëzit që njihen mirë, që në një bar, restorant, në një pallat, në një lagje, në një media, në një kuvend, në një institucion rrinë bashkë dhe janë përzier ish-trafikantë e politikanë, ish-shfrytezues prostitucioni e biznesmenë, gazetarë e krerë bandash e trafiqesh e në këtë bashkëjetesë të detyruar nga ata që bënë hile me drejtësinë e Shqipërinë, vetëm një gjë duhet të mbetet e paprekur dhe e gjallë: njerëzorja dhe e vërteta, pavarësisht nëse Laeri gaboi apo ishte viktimë. Ai sot nuk është më.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?