Kronikë

Bulqizë/ Vdekja e minatorit nga shembja e kromit, arrestohen 5 punonjës të stafit teknik të kompanisë minerare: S'morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes (EMRAT)

7 Gusht, 09:16| Përditesimi: 7 Gusht, 14:57

  • Share

Policia njoftoi këtë të enjte se janë arrestuar 5 punonjës të kompanisë minerare "Gerti Sh.p.k,", ku ishte i punësuar 66-vjeçari Fari Veliu, i cili humbi jetën ditën e djeshme në një minierë kromi në Bulqizë, si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor.

Në komunikatën e policisë thuhet se punonjësit e arrestuar, të identifikuar me inicialet Njazi Përkola 46 vjeç, Besnik Çupi 68 vjeç, Ferit Truka 61 vjeç, Ervis Kadiu 35 vjeç dhe Edmond Xhafa 51 vjeç janë të gjithë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar dhe se nuk kishin marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në galerinë ku humbi jetën 66-vjeçari.

"Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera me qëllim zbardhjen e përgjegjësive dhe rrethanave, në lidhje me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi F. Sh., 66 vjeç, dyshohet se si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor, gjatë punës në galeri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit Nj. P., 46 vjeç, B. Ç., 68 vjeç, F. T., 61 vjeç, E. K., 35 vjeç dhe E. Xh., 51 vjeç, të gjithë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar",- njofton policia.

Ngjarja ka ndodhur në subjektin minerar "Gerti shpk", me aksioner të vetëm Jeton Danin, ku edhe më herët kanë ndodhur aksidente në punë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.

Ora 13:26
Aksidenti në minierë, Inspektoriati i Punës: Te subjekti “Gerti shpk” kanë ndodhur plagosje më parë, s’na lejohet të bëjmë kontrolle në galeri

 

Aksidenti në punë që ndodhi të mërkurën në galerinë e kromit “Gerti shpk” në Bulqizë, ku një minator humbi jetën, është rast i përsëritur.

Gjatë viteve, në galerinë e të njëjtit subjekt ka patur dhe aksidente të tjera, por me plagosje.

Eda Brahimaj, përgjegjëse e sektorit për sigurinë në punë në Inspektorian e Punës, në një intervistë për emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, ka treguar se ky subjekt ka qenë në fokus të kontrolleve edhe më parë, për shkak të aksidenteve.

“Subjekti “Gerti shpk” në të cilën ka ndodhi aksidenti i djeshëm, është aksidenti i parë me pasojë fatale, ky subjekt është inspektuar nga Inspektoriati i Lartë i Punës, në 2023 dhe 2024, ku dhe këto janë për aksident në punë. Kanë qenë aksidente me plagosje, njëri me thyerje të këmbës dhe tjetri thyerje të legenit, të ndodhura të dyja në galeri. Inspektoriati ka dalë në vendimet e veta dhe lënien e afateve për marrjen e masave konkrete”, u shpreh Eda Brahimaj.

Kjo e fundit theksoi gjithashtu se Inspektoriati i Punës nuk ka të drejtë të hyjë për inspektim në thellësitë e minierave. Sipas saj, kjo detyrë i përket Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, që është në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Më pas të dyja institucionet koordinojnë punën.

“Autoriteti kompent për inspektim në galeri është Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, që është në varësi të Ministrisë së Infrastruktrës dhe Energjetikës. Ne si Inspektoriat nuk futemi në galeri, e kemi të përjashtuar me ligj. Ama në kuotën zero e sipër kemi të drejtë të kontrollojmë. Por sigurisht që me AKSEM-in bashkërendojmë punën”.

Një ditë më parë, në minierën e Bulqizës të subjektit “Gerti shpk” me aksioner të vetëm Jeton Danin, humbi jetën minatori Fari Veliu për shkak të rënies së një masivi kromi. Për këtë aksident në punë, u arrestuan 5 punonjës të stafit teknik të kompanisë minerare.

K.M/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • dori: 07/08/2025 17:03

    Mjer ai që iku se këta me këtë drejtësi që kemi shumë shpejt do të dalin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?