Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se pozicioni i Beogradit në raport me Moskën do të jetë më i vështirë pas vdekjes së liderit opozitar rus, Alexei Navalny.
Megjithatë, udhëheqësi serb hodhi poshtë mundësinë që të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Vuçiç tha në një intervistë se nuk është hetues, por e sigurt është që tensionet do të jenë në rritje, pasi vdekja e Navalnyt ka nxitur një zjarr të ri.
‘Nuk jam më i mençur se të gjithë të tjerët në botë që dinë gjithçka paraprakisht. Kjo u përket analistëve politikë, por jo një presidenti të shtetit. Por, pozicioni do të jetë më i vështirë për ne, nuk kam dyshim”, tha Vuçiç.
Ai theksoi se vdekja e Navalnyt “ka nxitur një zjarr të ri”, duke shtuar se “është tragjike kur një person i ri humb jetën”.
Presidenti i Serbisë shtoi se shkon në takime ndërkombëtare për të luftuar për shtetin e tij, por pret më shumë presion ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.