Vdekja e Papa Françeskut ditën e sotme ka lënë një boshllëk në të gjithë opinionin publik.
Në një reagim në rrjetet sociale Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë teksa përcjellin ngushëllimet e tyre mes fjalëve të ndjera nënvizojnë se gjatë misionit të tij si prift, peshkop dhe Papë tregoi gjithmonë një përkushtim të madh për të varfërit dhe të margjinalizuarit pavarërisht kulturës dhe pozicionit gjeografik.
Mesazhi i plotë:
MBI FJETJEN E PAPA FRANÇESKUT
Duke marrë pjesë në hidhërimin për fjetjen e Papës së Romës, Françeskut, dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona ndaj klerit dhe besimtarëve të Kishës Romano-Katolike.
Gjatë misionit të tij si prift, peshkop dhe Papë, ai gjithmonë tregoi një përkushtim të thellë ndaj shpalljes së Ungjillit në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore, veçanërisht përmes kujdesit të tij të sinqertë për të varfërit dhe të margjinalizuarit.
Veçanërisht vlerësojmë përpjekjet e tij të sinqerta për të nxitur një mirëkuptim më të madh ndërmjet Kishës Orthodhokse dhe asaj Katolike. Sjellim ndër mend fjalët e tij gjatë takimeve me përfaqësuesit e Kishës Orthodhokse: “Ecim së bashku si vëllezër në rrugën e mëshirës dhe të dashurisë”.
Me shpresën tek Krishti i Ngjallur i Cili: “…do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vajtim, as dhimbje, sepse bota e mëparshme mori fund” (Zb. 21:4), lutemi që Zoti ynë, Ati i mëshirshëm, t’i japë prehje shpirtit të tij. I përjetshëm kujtimi!
Lajmi kryesor:
Ndahet nga jeta e Papa Françesku, mesazhet e politikës shqiptare dhe udhëheqësve fetarë
Xh.K/SI.E./ReportTv.al
