KOSOVË- Gjykata Themelore e Prishtinës ka urdhëruar një muaj paraburgim për secilin prej pesë zyrtarëve të Policisë së Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në një ndërhyrje që përfundoi me vdekjen e një të riu 27-vjeçar, më 7 korrik në Lipjan.
Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë edhe zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.
Pesë zyrtarët e dyshuar dolën para gjykatës, dega në Lipjan, të mërkurën, ku kërkesa e prokurorëve për paraburgim u kundërshtua nga mbrojtja.
Mediat e Kosovës kanë publikuar edhe pamjet që tregojnë momentet e fundit të jetës së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu. I riu u përplas me policinë pasi disa skenave të dhunshme para mbërritjes së patrullës. 5 policë përpiqen të arrestojnë pasi e spërkatën me spray piper 27-vjeçarin dhe më pas e kanë shtrirë në tokë.
Në këto momente sipas dyshimeve ata kanë ushtruar dhunë më shumë seç duhej ndaj të ndjerit, duke e çuar atë drejt vdekjes. Prokurorët kanë kërkuar menjëherë paraburgim për pesë zyrtarët e Policisë së Kosovës.
Duke folur për media pas seancës, avokati mbrojtës i njërit nga pesë policët e dyshuar, Besnik Berisha, tha se ky është një rast “që ka tronditur secilin, por një rast që unë besoj se as nuk i kanë kontribuuar e as shkaktuar këta zyrtarë policorë”.
“Sot u kërkua masa e paraburgimit vetëm për një arsye, sepse raportet janë të acaruara mes palës së dëmtuar dhe zyrtarëve policorë të arrestuar”, tha Berisha.
Kreu në detyrë i qeverisë, Albin Kurti bëri thirrje që ngjarja të hetohet dhe paralajmëroi masa ndaj atyre që do të vërtetohen si shkelës.
“Fllimisht, dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Zenjullahu për humbjen e më të dashurit të tyre. Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve. Shumëçka është bërë publike, edhe falë incizimeve të dëshmitarëve.
Por për të kuptuar plotësisht gjithçka që ka ndodhur, nevojitet bashkëpunim i ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës — Policisë, Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë. Pesë zyrtarë tashmë janë suspenduar. Kërkoj dhe pres një hetim të thellë që të vendoset drejtësia.
Nuk do të ketë strehë në institucione për askënd që ka tejkaluar kompetencat apo ka abuzuar me detyrën zyrtare. Tendenca për të nisur një fushatë kundër Policisë nuk është e dobishme. Thirrjet për drejtësi janë të drejta dhe duhet të dëgjohen”, tha Kurti.
Ngjarja e ndodhur mesnatën e 7 korrikut shkaktoi edhe protesta në Lipjan, ndërsa në parlament, PDK kërkoi largimin nga detyra të ministrit të brendshëm në detyrë Xhelal Zveçla.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi pakompromis lidhur me rrethanat e vdekjes së të riut , pas arrestimit nga zyrtarët policorë.
Komente
