Kronikë

Vdekja e turistit në Durrës/ Pronari u dha Jet Ski-në pa pasur leje drejtimi dhe s'i pajisi me jelekë! Vihet në pranga (EMRAT)

2 Qershor, 11:34| Përditesimi: 2 Qershor, 20:58

  • Share

DURRËS- Një aksident i rëndë detar ndodhi gjatë fundjavës në Durrës, ku një turist britanik humbi jetën dhe partnerja e tij mbeti e plagosur rëndë, pas përmbysjes së Jet Ski-së që kishin marrë me qira.

Ngjarja u shënua paraditen e së dielës, rreth orës 11:00, pranë zonës së Shkëmbit të Kavajës. Viktima është identifikuar si Silvester Dheug, 34-vjeçari, ndërsa e plagosura, Vera Ruani, 31-vjeçe; të dy me origjinë nga Gana dhe banues në Mbretërinë e Bashkuar. Çifti kishte ardhur në Shqipëri për pushime së bashku me miqtë e tyre.

Sipas policisë, ata kishin marrë me qira një motor uji (jet ski) nga kompania “St.Luis Ëatersports”, me pronar Luis Xhumarin. Menjëherë pasi hynë në det, viktima humbi kontrollin mbi Jet Ski, dhe të dy ranë në ujë. Forcat e Policisë Kufitare shkuan në vendngjarje por fatkeqësisht 34-vjeçari u gjet pa shenja jete, ndërsa e 31-vjecarja u transportua në spitalin e Durrësit, ku ndodhet ende në gjendje të rëndë.

Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë nëse shkaku i vdekjes, ishte mbytja apo një arrest kardiak i menjëhershëm.

Ndërkohë, policia ka arrestuar pronarin e kompanisë që ofroi mjetin lundrues me qira, Luis Xhumari, 56 vjeç me dyshimin se ka kryer veprën penale “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.

Sipas policisë, Xhumari u ka dhënë Jet Ski dy turisteve që nuk kishin leje drejtimi për motor. Po kështu, nuk u ka ofruar atyre veshje sigurie, siç janë jelekët e shpëtimit. 

Report tv kreu vëzhgim në terren, ku shihet se aktiviteti është pezulluar këtë të hënë dhe nuk ka asnjë mjet lundrues në lëvizje. Sakaq dallohet qartë se nuk mungon sinjalistika, qoftë në terrenin tokësor dhe bovat në atë ujor. Ambienti survejohet nga kamera sigurie te cilat ndodhen ne drejtimin e jetskive.

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet, ndërsa dëshmitarët dhe miqtë e çiftit po merren në pyetje për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe fajësinë e operatorit turistik. Po kështu janë sekuestruar dhe pamjet filmike.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin L. Xh., 56 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Nga veprimet hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, përballë  shkëmbit i Kavajës, rezultoi se shtetasi L. Xh., iu ka dhënë me qira një mjet lundrues Jet Ski, shtetasve S. O. dhe V. B., të cilët nuk kanë qenë të pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh lundruese dhe nuk i ka pajisur me skafandra", informoi sot policia. 

Ngjarja ndodhi në nisje të sezonit veror në Durrës, duke ngritur shqetësimin e kahershëm për mungesën e sigurisë detare dhe nevojën për kontrolle nga autoritetet shtetërore përgjegjëse, si Policia Kufitare dhe Agjencia e Bregdetit.

Sipas ligjit, "Operatori i turizmit detar, për të ushtruar aktivitetin e lundrimit me motor uji, paraprakisht duhet të zbatojë kriteret e mëposhtme:
a) mosha minimale e lejuar e një personi për të drejtuar një motor uji (jet ski) është 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç

b) personi që drejton një motor uji (jet ski) duhet të jetë i pajisur me lejedrejtimin përkatës të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare;

c) mjetet lundruese në përdorim të tij duhet të jenë me kushte teknike dhe sigurie të përmbushura sipas legjislacionit në fuqi.

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Or tej: 02/06/2025 19:32

    Gati e pabesueshme sepse eshte i vetmi qe duket me i rregullti ne gjithse zonen sepse ka cdo gje me sinjalistike e tabela or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • otz: 02/06/2025 17:24

    C'fare behet keshtu? Si lejohen keto biznese per mjete lundruese kur nuk ofrojne as minimumin e sigurise? Si lejohen qe te operojne pa afruar jelek shpetimi?

    Përgjigju
  • Miku: 02/06/2025 15:05

    Jeleku eshte minimumi qe duhet te kene, mos hip fare po s'ta dha

    Përgjigju
  • don: 02/06/2025 13:49

    Ky plerë nuk duhet të dalë nga burgu sepse është vrasës....

    Përgjigju
  • Arseni: 02/06/2025 13:10

    Kerkimi I kenaqesive pa limit I turisteve po ju merr jeten kot qendroni ne ujera te sigurta o njerez

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?