Vdekja e Joy Ayoko, dërgohet në Kenia letërporosia! S'përjashtohet asnjë pistë hetimi: Vrasje, aksident apo shtyrje drejt vetëvrasjes! Të pyeturit heshtën

3 Maj 2023, 10:32| Përditesimi: 3 Maj 2023, 12:05

  • Share

Ministria e Drejtësisë konfirmon dërgimin e letërporosisë në Kenia lidhur me vdekjen misterioze të Joy Ayokos, ndërsa po pritet përcaktimi përfundimtar i shkaqeve të vdekjes.

Nga ana tjetër burime të njëjta nga grupi hetimor, thonë se në Shqipëri, janë caktuar 3 ekspertë që po merren me zbërthimin e akt-ekspertizës rreth dinamikës së ngjarjes dhe plagëve në trupin e të resë nga Kenia. Përfundimet e këtyre të fundit, me mbërritjen e përgjigjes nga shteti lindor i Afrikës, do të analizohen së bashku për të gjetur një version përfundimtar të ngjarjes.

Hetuesit shqiptar po verifikojnë disa aparate celulare, mes të cilëve edhe ai i shtetasit Rodi Baçi, ish-shoferi i kazinosë ku punonte e reja dhe i përfolur si ish-i dashuri i viktimës me të cilën "kishte raporte problematike". Deri tani ende nuk konfirmohet përftimi i ndonjë elementi me vlerë dhe përcaktues nga kontaktet e viktimës me persona të dyshimtë të përfshirë në ngjarje.

Ndërkohë, lidhur me shoqërimin e disa personave disa ditë më parë, kur përveç Baçit, janë pyetur edhe disa shokë të tij, mësohet se qëllimi ka qenë për të ndeshur gjatë marrjes në pyetje ndonjë element të dyshimtë apo kontradiktor që mund ti çonte hetuesit drejt një piste konkrete për ngjarjen. Pavarësisht insistimit për disa orë, asnjë prej tyre nuk ka shfaqur kontradita apo të ketë ngjallur dyshime se mund të kenë dijeni, arsye për të cilën edhe janë lënë të lirë.

Burimet konfirmojnë, se pavarësisht mos përjashtimit të asnjë versioni, ata besojnë se Ayoko ka rënë nga lartësia në vendin ku është gjetur, por shtojnë se është mjaft e vështirë të përcaktohet nëse është shtyrë, ka qenë incident nga pakujdesia e të resë apo veprim në kushtet e ekstremitetit që viktima ta ketë marrë vetë. Por edhe në këtë rast, hetuesit përfshijnë në versionet e mundshme, që e reja të jetë nxitur ta kryente një veprim të tillë.

Si ndodhi ngjarja?
E reja punonte në një kazino të Tiranës ku jetonte prej kohësh së bashku me disa shoqe të saj gjithashtu nga Kenia. Nëna e vajzës keniane, që jetonte në Tiranë me disa shoqe të saj, u njoftua nga kompania e kazinosë që vajza e saj kishte përfunduar në spital. Shoqet e dhomës kanë dhënë dëshmi kontradiktore me njëra tjetrën, e ndërsa i dyshuar ka qenë edhe shoferi i kazinosë. Rodi Barci, 32 vjeç, ka deklaruar se ka qenë i lidhur me Joy-n, por në momentin kur ka ndodhur ngjarja, kanë qenë të ndarë dhe nuk kishin më lidhje me njëri tjetrin. 

Joy Ayoko u gjet në gjendje kome jashtë Hostelit ku qëndronte në muajin gusht të vitit të kaluar. 22-vjeçarja u largua nga Shqipëria më 25 janar të këtij viti, drejt vendlindjes për t’u mjekuar në spitalin Kenyatta, në Kenia. Joy u largua nga spitali i Traumës në gjysmë koma, e pavetëdijshme dhe ndërroi jetë në Kenia.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?