Enver Sheshi

Vdekja në burg e të arrestuarit për inceneratorin e Fierit, KShH: Autoritetet po ngjallin dyshime, nuk japin informacione për vëzhguesit tanë

13 Janar 2023, 18:39| Përditesimi: 13 Janar 2023, 18:41

  • Share

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ngritur shqetësimin për mos marrjen e informacionit në lidhje me ndarjen nga jeta të Enver Sheshitt në ambientet e paraburgimit të Tiranës, javën e kaluar.

Një njoftimin e publikuar, Komiteti Shqiptar i Helsinkit bën me dije se vëzhguesve të caktuar për këtë çështje, nuk u është mundësuar informacioni i duhur nga autoritetet përkatëse në funksion të zbardhjes së çështjes. Sipas KShH, rezervat për dhënien e informacionit ndaj një organizate të njohur, janë të panevojshme dhe krijojnë dyshime të arsyeshme lidhur me çështjen.

Vëzhguesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkut argumentojnë se një qasje e tillë e autoriteteve shqiptare, krijon një ambient tkurrës për mbrojtësit e të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), u informua nëpërmjet medias se E.Sheshi që ndodhej si i paraburgosur  në IEVP 313, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, më datë 08.01.2023 u dërgua në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUNT), ku dhe ndërroi jetë. KShH i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve të të ndjerit. Duke vlerësuar të dhënat e medias dhe në përmbushje të misionit të tij, KShH ngarkoi një grup monitorimi për të verifikuar në terren këtë ngjarje. Monitorimi u realizua në datat 10 dhe 11 Janar 2023.

Nga sa përmendëm më lart, rezulton se vëzhguesve të KShH nuk iu mundësua informacioni nga organet përkatëse, gjë që do t’i shërbente sqarimit të çështjes. Ky qëndrim është i papajtueshëm me transparencën që shkon për krah me parimin e përgjegjshmërisë së institucioneve shtetërore. Në çështjen në fjalë, rezervat për dhënie informacioni ndaj një organizate të njohur për misionin e saj, sikurse është KShH janë të panevojshme dhe krijojnë dyshime të arsyeshme në sytë e një vëzhguesi të paanshëm e objektiv, për arsyen e refuzimit të informacionit. Gjithashtu, është e dëmshme në kuptim të aktualitetit dhe qëllimit që ka një monitorim, që të kërkohet parashtrimi i kërkesës zyrtare për informacion për të marrë kopje të këtyre dokumentave, nëse ato disponohen aty për aty nga organet.

Kjo qasje e autoriteteve krijon një ambient tkurrës për mbrojtësit e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe amplifikon barrën që kanë autoritetet për të hetuar në mënyrë të pavarur, objektive dhe efikase rrethanat në të cilat ka vdekur ky shtetas, sipas detyrimeve procedurale të nenit 2 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që garanton të drejtën e jetës. KShH i sugjeron Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si organi i ndjekjes penale që për çështje që nuk përbëjnë sekret hetimor, të informojë publikun për veprimet që ka kryer dhe po kryen kjo prokurori për çështjen dhe sidomos familjarët e viktimës.”- thuhet mes të tjerash në njoftimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Enver Sheshi 59-vjeçari i cili ishte arrestuar për inceneratorin e Fierit ndërroi jetë në urgjencën e spitalit të QSUT. Dyshohet se 59-vjeçari vdiq nga arresti kardiak. Sheshi, ndodhej në burgun 313 dhe mendohet se si pasojë e infarktit, ndërroi jetë një orë pasi mbërriti në urgjencën e QSUT. 

Enver Sheshi bëri disa herë kërkesë në Gjykatën e Posaçme në mënyrë që t’i ndryshohej masa e sigurisë ‘arrest me burg’ por nuk u pranua. Sheshi ishte i akuzuar si pjesë e dosjes së inceneratorit të Fierit ndërsa më herët ishte dënuar një herë për evazion fiskal për të njëjtën çështje. Për këtë arsye, avokatja e tij Edlira Kapllani ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë për shkak se 59-vjeçari ishte dënuar më herët për të njëjtën çështje. Ndërsa familjarët e tij pretendojnë se ky i fundit ka bërë ankimimin për masën e sigurisë nga Apeli për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore. Familjarët e Sheshit janë shprehur se do të kallëzojnë prokurorët dhe gjyqtarët për veprën penale, ‘Vrasje me Dashje.’

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?