ITALI, Firenze - Pas më shumë se shtatë vitesh hetime, Gjykata e Firenzes ka dhënë vendimin për vdekjen tragjike të ish-kapitenit të Fiorentinës, Davide Astori, i cili humbi jetën më 4 mars 2018, pak orë para ndeshjes kundër Udineses.
Tre mjekë janë shpallur fajtorë për falsifikim të certifikatave mjekësore që i mundësuan Astorit të vijonte aktivitetin sportiv, pavarësisht një gjendjeje të paidentifikuar shëndetësore. Ish-drejtori i mjekësisë sportive në spitalin Careggi, Giorgio Galanti, u dënua me një vit burg, ndërsa Dr. Loria Toncelli dhe Prof. Pietro Amedeo Modesti morën dënim nga tetë muaj secili, ky i fundit edhe për shkatërrimin e një dokumenti zyrtar.
Prokuroria kishte kërkuar dënime më të rënda, deri në tre vjet e gjysmë, por gjykata vendosi të mos njohë rrethanat rënduese të "certifikatës së garancisë", duke dhënë masa më të lehta.
Gjithashtu, janë refuzuar kërkesat për dëmshpërblim nga familjarët e futbollistit, përfshirë partneren Francesca Fioretti, vajzën e vogël Vittoria, si dhe prindërit dhe vëllain e ish-mbrojtësit.
Sipas hetimeve, Astori humbi jetën si pasojë e kardiomiopatisë ventrikulare aritmogjene, një sëmundje e zemrës që nuk u diagnostikua në kohë. Galanti akuzohet për lëshimin e dy certifikatave mjekësore, duke neglizhuar testime të domosdoshme që mund të kishin shpëtuar jetën e tij.
Davide Astori ishte një nga figurat më të dashura në futbollin italian, teksa u nda nga jeta në moshën 31-vjeçare, duke lënë pas një dhimbje të thellë në botën e sportit.
Komente
