Raphael Dwamena

Vdekja tragjike e Dwamenës në fushë, FSHF shtyn të gjitha ndeshjet

11 Nëntor 2023, 15:25| Përditesimi: 11 Nëntor 2023, 15:29

  • Share


Sulmuesi Raphael Dwamena humbi jetë në ndeshjen mes Egnatias dhe Partizanit, e zhvilluar sot për 24 minuta. Në stadiumin e Rrogozhinës kapiteni ganez i vendasve u rrëzua në tokë dhe paçka se u dërgua në spital, nuk ia doli të mbijetojë.

Për këtë Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë vendimin që të gjitha ndeshjet e Superligës të shtyhen. Sot në 17:00 do duhej të luhej Skënderbeu - Teuta dhe Vllaznia - Laçi. Edhe duelet e ditës së nesërme Tirana - Kukësi dhe Dinamo - Erzeni janë shtyrë, pasi në këto kushte nuk bëhet fjalë për futboll.

"Federata Shqiptare e Futbollit shpreh tronditjen e thellë për tragjedinë e ndodhur sot gjatë ndeshjes së javës së 13-të të “Abissnet Superiore”, Egnatia-Partizani. Futbollisti Raphael Dwamena ka humbur ndjenjat gjatë ndeshjes dhe pas ndërhyrjes së parë të mjekëve në fushën e lojës është transportuar me ambulancë për në spital.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve specialistë dhe të gjitha përpjekjeve të mëpasshme për ta rikthyer në jetë, futbollisti për fat të keq ka ndërruar jetë. FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Dwamena dhe klubit të Egnatias për këtë humbje të madhe dhe ngjarje që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar.

Federata e Futbollit bën me dije se të gjitha ndeshjet e programuara për këtë fundjavë në të gjitha kampionatet e futbollit në Shqipëri do të shtyhen në një moment të dytë", njofton FSHF.


Lajmi kryesor:

Tragjedi në fushë/ Dwamena rrëzohet në tokë gjatë Egnatia - Partizani! Sulmuesi ndërron jetë në spital, Prokuroria nis hetimet! FSHF shtyn të gjitha ndeshjet (VIDEO)


S.Dh/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?