Një spiker radioje në Filipine është qëlluar për vdekje teksa po transmetonte drejtpërdrejtë. Juan Jumalon, i njohur si DJ Johnny Walker, u qëllua brenda studios së tij në shtëpi, sipas autoriteteve vendase.
Jumalon po transmetonte drejtpërdrejt në Facebook rreth orës 05:30 me kohën lokale kur i dyshuari hyri në kabinën e regjistrimit dhe e qëlloi atë. Sipas mediave lokale, autori i dyshuar kërkoi leje për të hyrë në kabinën e radios së zotit Jumalon për të njoftuar diçka të rëndësishme në transmetim, raporton BBC.
Gruaja e DJ e dërgoi atë në spital menjëherë pas incidentit, por mjekët konstatuan vdekjen pas mbërritjes, pasi nuk iu kishte rezistuar plagëve të marra.
Presidenti Marcos Jr dënoi vrasjen e gazetarit të radios me fjalët më të forta dhe postoi në X se ai ka udhëzuar policinë të kryejë një hetim të plotë për të sjellë me shpejtësi autorët para drejtësisë.
Katër gazetarë janë vrarë që kur Marcos Jr mori detyrën në qershor të vitit 2022, tha Unioni Kombëtar i Gazetarëve në Filipine.
"Sulmi është edhe më i dënueshëm pasi ndodhi në shtëpinë e vetë Jumalon, e cila shërbeu gjithashtu si stacion radio", tha sindikata.
Filipinet janë një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët, thotë Freedom House me qendër në SHBA.