Artisti danez Kurt Westergaard, i famshëm për vizatimin e një karikature të Profetit Muhamed i cili në vitin 2005 shkaktoi trazira të dhunshme në disa vende myslimane, ka vdekur në moshën 86 vjeçare.
Ilustruesi është autori i 12 vizatimeve më të famshme të botuara më 30 shtator 2005 nga gazeta konservatore daneze Jyllands-Posten nën titullin “Fytyra e Muhamedit”, në të cilën profeti përfaqësohej me një çallmë në formë bombe. Karikaturat shkaktuan protesta të shumta në Kopenhagën dhe protesta nga ambasadorët e vendeve myslimane në Danimarkë.
Zemërimi u përshkallëzua më pas me një valë të dhunës anti-daneze në botën myslimane në shkurt 2006, parë në Danimarkë si kriza më e rëndë e politikës së jashtme për vendin që nga Lufta e Dytë Botërore.
Westergaard kishte punuar për revistën Jyllands-Posten që nga mesi i viteve 1990 si ilustrues dhe vizatimi në fjalë ishte shtypur tashmë një herë, pa shkaktuar shumë polemika.
Gjatë viteve të fundit të jetës së tij, Kurt Westergaard, si shumë të tjerë të lidhur me karikaturat, u desh të jetonte nën mbrojtjen e policisë në një adresë sekrete. Megjithatë në deklaratat e tij ai kishte deklaruar se nuk ishte penduar, pasi sipas tij kjo kishte ndikuar në rritjen e ndërgjegjësimit tek vendet perëndimore sa i përket islamizmit.