Frank Wisner

Kosova & Rajoni

Vdes Frank Wisner, ish-përfaqësuesi i SHBA-së në bisedimet për statusin e Kosovës

24 Shkurt, 16:32| Përditesimi: 24 Shkurt, 16:34

  • Share

Frank Wisner, ish i dërguari i Shteteve të Bashkuara për bisedime lidhur me statusin e Kosovës, ka vdekur në moshën 86-vjeçare.

Djali i tij, David, tha se ai vdiq pas komplikimeve shëndetësore të shkaktuara nga kanceri në mushkëri.

Diplomati amerikan, Wisner kishte udhëhequr ambasadat amerikane në Zambia, Egjipt, Filipine dhe Indi dhe kishte mbajtur poste të larta në administratat republike dhe demokrate dhe ishte i lidhur me nisma që sollën ndryshime në rajone sikurse Ballkani e Afrika e Jugut.

Teksa po largohej nga Departamenti i Shtetit, Wisner i kishte ndihmuar administratës së presidentit Bill Clinton në negociatat me Qeverinë në Moskë të Boris Yeltsinit, për të ulur shitjen e armëve ruse tek Irani.

Wisner më 1997 u tërhoq nga puna si diplomat, por vazhdoi punën në sektorin privat, në disa role këshilluese, por mori edhe disa misione zyrtare.

Më 2005 administrata e George W.Bush e emëroi atë përfaqësues të posaçëm në negociatat për statusin e Kosovës si shtet sovran, negociata që çuan në pavarësinë e Kosovës më 2008.

Në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë dhjetorin e vitit të kaluar, Wisner foli për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se sot e kësaj dite, Serbia nuk është e gatshme të pranojë realitetin e një Kosove të pavarur, prandaj tha se marrëveshjet e arritura mes dy shteteve nuk do të funksionojnë.

Ndërkaq, lidhur me administratën e presidentit Donald Trump, ai deklaroi se ishte herët të thuhej se çfarë mund të pritej lidhur me Ballkanin Perëndimor.

“Administrata e mëparshme e Trumpit ka pasur një sërë idesh, që synonin arritjen e një marrëveshjeje territoriale... Çdo lëvizje drejt këtij objektivi, nuk do të shkaktonte gjë tjetër veçse telashe në Ballkanin Perëndimor. Shpresoj që kjo nuk do ta tundojë administratën e re”, deklaroi ai.

Pas tërheqjes nga shërbimi diplomatik amerikan, Wisner kishte shprehur shqetësime lidhur me mënyrën se si SHBA-ja e kishte ushtruar fuqinë e saj globale, duke nisur nga lufta në Vietnam në vitet ’60 e deri te konfliktet në Irak dhe Afganistan./ REL

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e Diasporës do jetë përcaktuese më 11 maj?