Sfiduesi i lartësive të mëdha, Remi Lucidi ka ndërruar jetë në moshën 30-vjeçare pasi ka rënë nga kati i 68 i një qiellgërvishtësi në Hong-Kong.
Pasioni për lartësitë është kthyer në një tragjedi për Remi Lucidin, 30-vjeçarin francez i njohur në rrjetet sociale për sfidat e tij me lartësitë nga ku ndante foto dhe video me ndjekësit e tij.
Mendohet se Lucidi ishte ngjitur në një qiellgërvishtës në Hong- Kong, për të bërë një nga fotot e tij të zakonshme nga lartësia marramendëse, rutinë kjo e përditshme për influencer-in e njohur i cili ndante kurdoherë pamje nga lartësi që ‘preknin’ qiellin në mbarë botën.
Sipas mediave, 30-vjeçari hyri pa leje në ndërtesë, duke gënjyer rojën se do të takonte një mik në katin e 40.
Në rrethana ende të paqarta, i riu ka rënë jashtë dritares nga kati i 68-të i qiellgërvishtësit dhe ka përfunduar në tokë.
Një pastrues që ndodhej në të njëjtin kat thuhet se ka thirrur policinë pasi pa 30-vjeçarin teksa ra nga dritarja, ndërsa Lucidi me sa duket u përpoq të kërkonte ndihmë përpara se të humbte ekuilibrin.
Kamera e Lucidi, e cila përmbante video të sporteve ekstreme, thuhet se u gjet në vendngjarje, së bashku me kartën e tij të identitetit.