Londer- Policia angleze ka publikuar imazhin e përpunuar të një burri të cilin nuk kanë mundur ta identifikojnë, pesë muaj pasi ai ndërroi jetë në perëndim të Londrës.
Viktima që mendohet se është shqiptar u gjet në Sixth Avenue, Queen’s Park në orën 02:40 të 6 tetorit 2023. Ai u dërgua në spital ku ndërroi jetë 10 ditë më pas.
Policia thotë se vdekja e tij nuk po trajtohet si e dyshimtë dhe kanë lëshuar një imazh të përpunuar me shpresën se familja e tij do të paraqitet.
Gjithashtu ata kanë publikuar edhe imazhin e një tatuazhi në krahun e tij. Detektivja Julia Morroë sqaroi pamjet e kamerave të sigurisë CCTV, ku duket personi i cili ecën në rrugë dhe më pas bie pa ndjenja. Ajo shton: “Ne kemi bërë disa kontrolle për të bërë identifikimin e tij, duke përfshirë edhe kontrolle të përshkrimeve të njerëzve që kanë humbur në këtë zonë, por sërish nuk kemi mundur ta gjejmë se kush është ai. Po punojmë me mjekët ligjor për të identifikuar të afërmit e tij dhe po përcjellim imazhin e një tatuazhi që personi kishte në bicepsin e majtë, me shpresën dikush do ta njohi dhe do të vijë.
Policia thotë se ai ishte veshur vetëm me pantallona dhe me vete nuk kishte asnjë send apo mjet identifikimi. Në pamje, policia thotë se ai duket teksa flet me vete në një gjuhë të huaj, për të cilën mendohet se është shqiptar. Ai përshkruhet si i bardhë, në të 40-at dhe me trup të hollë. /BBC/