Policia keniane ka gjetur 58 trupa, kryesisht nga varre masive në një pyll në Kenia lindore, që mendohet se janë ndjekës të një kulti të krishterë që besonin se do të shkonin në parajsë, nëse do të vdisnin nga uria, tha në një deklaratë të hënën shefi i policisë së vendit. Duke vizituar vendin e ngjarjes, ai deklaroi gjithashtu se të vdekurit përfshinin 50 persona të gjetur në varre masive, si dhe tetë të tjerë që u gjetën të gjallë dhe të dobësuar, por më vonë ndërruan jetë.
Numri i të vdekurve mes të cilëve ka edhe fëmijë, besohet të rritet edhe më tej. Shefi i policisë keniane shtoi se 29 të mbijetuar ishin shpëtuar dhe policia ishte ende në kërkim të personave të tjerë pjesë e këtij sekti. Pylli prej 300 hektarësh është i rrethuar, por brenda ka ende persona që nuk kanë pranuar të ndihmohen kur janë gjetur nga autoritetet. Kryqi i Kuq Kenian tha se 112 persona janë raportuar të zhdukur. Udhëheqësi i sektit u ka thënë autoriteteve se nëse kërkojnë, do të gjejnë më shumë se një mijë njerëz që kanë shkuar për të takuar Jezusin.
Presidenti i Kenias tha se mësimet e kreut të kultit, Paul Mackenzie ishin në kundërshtim me çdo fe autentike dhe e quajti këtë akt si terrorizëm. Ai u shpreh se agjencitë përkatëse janë udhëzuar për të gjetur shkakun rrënjësor të asaj që kishte ndodhur dhe për të trajtuar njerëzit që duan të përdorin fenë për të avancuar ideologjinë e papranueshme në Republikën e Kenias, e cila po shkakton humbje të panevojshme jetësh.
Udhëheqësi i kultit, Paul Mackenzie, u arrestua më 14 prill pas një informacioni që sugjeronte ekzistencën e varreve të cekëta që përmbanin trupat e të paktën 31 prej ndjekësve të tij. Ai gjithashtu ishte arrestuar dy herë më parë, në vitin 2019 dhe në mars të këtij viti, në lidhje me vdekjet e fëmijëve. Çdo herë ai u lirua me garanci dhe të rastet janë ende në proces gjyqësor.