Kupa e Mbretit ka nisur me surpriza në fazën çerekfinale. Kryesuesit e La Ligas dhe ekipi që po bën befasinë këtë sezon, Girona është eliminuar nga skuadra e Vedat Muriqit. Mallorca mposhti 3-2 katalanasit duke mos i lënë shanse reagimit.
Gjithçka u mbyll që në pjesën e parë, ku në harkun e 14 minutave u shënuan tre gola. Fillimisht Larin në të 21 minutë zhbllokoi gjithçka, teksa më pas Prats me dopietën në minutat 28 dhe 35 vulosi suksesin e vendasve të Aguirres.
Christian Stuani në minutën e 68-të shënoi golin e parë për miqtë, teksa Girona u kujtua vonë për t'i dhënë vetes shpresë, pasi vetëm në shtesën e gjashtë Savio shënoi golin e dytë, pa i dhënë të drejtë të tijve që sfida të shkonte në shtesë.
Te Mallorca 20 minuta në fund luajti edhe Vedat Muriqi, sulmuesi i Kosovës që ka lënë pas një dëmtim dhe po luan ndeshjen e dytë në harkun e pak ditëve.