Veliaj: 2 mijë aplikime për kreditë e buta e kanë kaluar fazën e parë, Vaqarri lagja më e re Tiranës (VIDEO)

9 Qershor 2020, 14:47| Përditesimi: 9 Qershor 2020, 17:26

  • Share

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dha lajmin e mirë për çiftet e reja që duan të blejnë shtëpi me kredi të butë. Ai njoftoi 2 mijë familje kanë kaluar fazën e parë të përzgjedhjes. “Dy mijë aplikime e kanë kaluar fazën e parë, ndërsa në fund, me bankën Raiffeisen, do të përzgjedhim aplikimet që i plotësojnë të gjitha kriteret.

Është një lajm i mirë për qindra familje të reja në Tiranë, që sapo ia kanë nisur jetës, kanë një fëmijë të vogël, janë çifte të reja që sapo kanë nisur punë, që s’kanë shtëpi tjetër dhe shtëpia e tyre e parë do të financohet falë këtij bashkëpunimi. Jam shumë i lumtur që disa bashki të tjera në Shqipëri, edhe në rajon, po e ndjekin këtë shembull”, theksoi ai.

Deklaratën Veliaj e bëri gjatë inspektimit të rehabilitimit të rrugës Kombinat-Vaqarr, ku edhe do krijohet lagjja e re për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit, e cila po pasurohet edhe me pemë të reja, duke i dhënë një pamje krejt tjetër hyrjes në kryeqytet.

Bashkia e Tiranës thekson se falë kontributit të Raiffaisen Bank, mbolli sot 250 pemë të rritura, të cilat ulin nivelin e ndotjes që shkaktojnë jo vetëm makinat, por edhe ndërmarrjet e zonës. Aksionit të mbjelljeve iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se është bërë një punë e shkëlqyer.

“Për të gjithë qytetarët që përdorin këtë rrugë për të shkuar në Durrës, kemi bërë një punë të shkëlqyer, në bashkëpunim me ARRSH-në dhe Ministrinë e Infrastrukturës, për ta kthyer në një rrugë me standarde. Kjo është arsyeja që po e shoqërojmë investimin rrugor, edhe me investim mjedisor. Sot po mbjellim 250 pemë të rritura nga Raiffeisen Bank. E vlerësojmë çdo ndihmë dhe nuk i themi jo askujt që s’na sjell qoftë edhe një fidan të vogël; ama, kur kemi donacione të tilla serioze, edhe jetëgjatësia e investimit është më e madhe, edhe lehtësia e mirëmbajtjes është më e madhe, sigurisht ka edhe hijeshi”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e 870 shtëpive të reja, dhe se me infrastrukturën e re që po merr jetë, Vaqarri është kthyer në lagjen më të re të Tiranës. “E kemi qëndisur gjithë rrugën Tiranë-Vaqarr, i sjell zonës më shumë akses, tani që Vaqarri do të jetë vetëm një stacion autobusi larg Kombinatit. Jam shumë i lumtur që kjo rrugë do të ketë edhe gjelbërimin që lidhet me lagjen e re që do të bëjmë në Vaqarr, i paraprin 870 shtëpive që Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, do të ndërtojë për shtëpitë individuale të tërmetit”, tha ai.

Duke u ndalur tek fushata e mbjelljeve, Veliaj ftoi edhe bizneset dhe institucionet e ndryshme që t’i bashkohen kësaj nisme. “Do të shfrytëzojmë çdo ditë të ngjashme si ditët e kësaj jave, për të vazhduar me mbjelljet. Tani më shumë se kurrë po kuptojmë se parqet që kemi bërë në Tiranë, këndet e lodrave, statistikat e krimit, janë ulur aty ku ka një kënd lodrash, një park, pra ku ka jetë njeriu dhe dëshmitar poshtë çdo pallati, e kanë bërë qytetin më të jetueshëm”, tha ai.

Drejtori Ekzekutiv i Bankës Raiffeisen, Christian Canacaris, vlerësoi punën e kryebashkiakut dhe shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për të vijuar bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës për të ndihmuar familjet e pastreha, por edhe me nisma si mbrojtja e mjedisit. “Viti që kaloi ishte i vështirë sepse patëm tërmete. Por, dua t’ju falenderoj që do të kemi lagje të reja dhe do të kemi një kontribut tonin, sado të vogël, për gjithë këto familje. Ne do të mundësojmë kreditë e buta për familjet që do të përfitojnë. Ne si Raiffeisen do të kemi gjithmonë nisma të tilla dhe do të kemi një marrëdhënie të gjatë”, deklaroi Canacaris.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?