Projekti i ri për Akademinë e Arteve, Veliaj: Do ruhet pjesa e vjetër, karakatina do të zëvendësohet me hapësirë të re

25 Shkurt 2020, 14:07| Përditesimi: 25 Shkurt 2020, 14:22

  • Share

Bashkia e Tiranës njofton se Akademia e Arteve do të trefishojë hapësirat e saj, duke ofruar kushte më të mira për të rinjtë që studiojnë Muzikë, Arte të Bukura dhe Art Skenik. Lajmin e dha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili  së bashku me këngëtaren Kejsi Tola, iu bashkuan nismës për mbjelljen e 100 pemëve të reja në Parkun e Liqenit Artificial. Por cfarë do të ndodhë konkretisht? Erion Veliaj thotë se “Lajmi i mirë është që kryeministri i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës të udhëheqë projektin për pjesën shtesë të Akademisë së Arteve. Kemi një arkitekt fantastik si Mario Casamonti, që bëri stadiumin, i cili tani që ka rënë pak cinizmi dhe skepticizmi për punët e mira, do të bëjë shtesën që 3-fishon hapësirën e arteve; pra, ruhet e gjithë pjesa e vjetër, por kjo pjesa karakatinë me shtesa dhe e lënë pas dore do të zëvendësohet nga një hapësirë e re. Me Teatrin, me Akademinë e Arteve, me stadiumin, me sheshin, me pazarin, me Kalanë, me bulevardin, me liqenin, jemi një qytet përsëmbari”, tha Veliaj, njofton zyra e shtypit të bashkisë.

Më pas kryebashkiaku vlerësoi këngëtaren e talentuar Kejsi Tola jo vetëm për atë që jep në muzikë, por edhe për ndjenjën e lartë të përgjegjshmërisë qytetare. “Jam shumë i lumtur që një supergocë e qytetit tonë, një superartiste, por mbi të gjitha një super qytetare si Kejsi Tola, iu bashkua fushatës sonë të mbjelljeve. Më kujtohet kënga e Kejsit ‘Më ke mua’ dhe pyetja për të gjithë ne është: Na ka ne Tirana? Mund t’i themi Tiranës më ke mua? Më ke mua për pastrim, gjelbërim? Më ke mua për t’u kujdesur për mirëmbajtjen? Nëse secili prej nesh i thotë Tiranës më ke mua, pra jam çuni e goca jote, për ta ruajtur si një zonjë të fisme, atëherë sigurisht mund të kemi qytet fantastik”, shtoi ai.

Veliaj shprehu besimin se Bashkia e Tiranës edhe këtë vit do të arrijë të mbjellë 100 mijë pemë të reja, ku një vëmendje e posaçme i është kushtuar lumit të Tiranës dhe zonës së Farkës. “Jemi shumë afër edhe këtë vit për të kapur 100 mijë pemë. Një pjesë të madhe të mbjelljeve po e bëjmë tek lumi i Tiranës; pra, jemi zhvendosur nga jugu i liqenit, në veri te lumi i Tiranës, ku kufizohemi me Kamzën, ndërkohë që pjesa tjetër po vazhdon në Farkë, aty ku këtë vit do të fillojmë gjysmën e dytë të pedonales, për t’u siguruar që i lëmë Tiranës një tjetër park të madh për argëtim, çlodhje, dhe sport”, tha Veliaj.

Komento

Komente

  • Ggg: 26/02/2020 09:02

    Dmth do na behet edhe nje kulle tjeter tek akademia.... hahahaha

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?