Kryebashkiaku Erion Veliaj, i arrestuar prej datës 10 Shkurt me urdhër të SPAK, ka ankimuar në Apel masën e sigurisë “arrest me burg” që vendosi GJKKO katër ditë më parë.
Apelimi është dorëzuar nga avokatët e tij mbrojtës dhe pritet caktimi i datës dhe orës së seancës. Ndërkohë që janë zbardhuar disa nga argumentet juridiko-ligjorë, me të cilat avokatët kundërshtojnë masën e arrestit me burg.
Bie në sy pretendimi që ka Prokuroria se Veliaj ka firmosur financimet e OJF-së së bashkëshortes së tij, Ajola Xoxe, por që mbrojtësit ligjorë argumentojnë me ligj dhe shkresa se këtë nuk e bën kryebashkiaku, por ka një Këshill Artistik të specializuar në Bashki, duke shpjeguar edhe hapat që ndiqen. Sipas avokatëve, Veliaj nuk ka hedhur firmë për to.
Në apelimin e dërguar Apelit të GJKKO përmendet se vepra penale që i atribuohet personit nën hetim Erion Veliaj, ajo e “korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal, ‘bazohet tërësisht në supozime të organit procedues, të tilla që mund të shërbejnë për ngritjen e pistave të mundshme hetimore, por këto supozime nuk kënaqin kërkesat ligjore për caktim mase sigurimi personal, aq më pak të një mase si ajo e arrestit në burg’.
“Prezumohet që z. Erion Veliaj ka favorizuar persona juridikë dhe administratorë të tyre që po hetohen për nenin 245 të Kodit Penal, pasi paskan përfituar padrejtësisht fonde apo punë publike nga Bashkia Tiranë, por ka një mungesë totale të provueshmërisë së këtij fakti penal të pretenduar, duke ia atribuuar këtë akuzë në nivel aludimesh, të pamjaftueshme edhe për standardin që kërkohet në lëndë mase sigurimi, atë të dyshimit të arsyeshëm, i cili rezulton të jetë i pabazuar në prova”, argumenton mbrojtja.
Ndërsa më tej shtohet se “të hetuarit mohojnë çdo element kundërligjshmërie përgjatë aktivitetit të tyre lidhur me Bashkinë Tiranë dhe në tërësi vepra penale e parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal nuk formësohet në asnjë prej elementeve të saj”.
Gjithashtu në apelim theksohet se:
“Në të njëjtën nivel paprovueshmërie rezulton edhe fakti tjetër që z. Veliaj i atribuohet, firmosja e disa urdhrave të shpenzimeve për projekte artistiko-kulturore të financuara nga Bashkia Tiranë, ku përfitues paraqiten disa OJF apo shoqërive me përgjegjësi të kufizuar që organi i akuzës i paraqet si të zotëruara në mënyrë indirekte nga znj. Xoxa dhe familjarë të saj”.
Në apelim i thuhet Gjykatës së Apelit të Posaçme se për këto aktivitete ka një Këshill Artistiko-Kulturor me 9 anëtarë nga bora e artit, sportit dhe të tjera, emra të njohur, që prej vitit 2016:
“Se për këtë fushë të aktivitetit të Bashkisë Tiranë, aktiviteteve kulturore, artistike, rinore e sportive, prej vitit 2016 e në vijim, Këshilli Bashkiak si organ përfaqësues i Bashkisë Tiranë, ka vendosur që të miratojë ngritjen e një Këshilli Artistik-Kulturor, në përbërje të të cilit janë 9 anëtarë emra të shquar të jetës artistike, kulturore e sportive të vendit. Është pikërisht ky këshill organi kolegjial që vendos për miratimin e projektit konkret që do të financohet nga Bashkia Tiranë”, rendit mes të tjerash mbrojtja.
Madje renditet edhe ndarja e detyrave dhe kompetencave për këto aktivitete, hapat që ndiqen dhe deri në miratimin e tyre.
“Ajo që vlen për t’u theksuar është roli i z. Erion Veliaj, i cili prej vitit 2018 sipas urdhrit Nr.31086 datë 15.08.2018 “Për delegimin e kompetencave”, ka urdhëruar delegimin e kompetencave të tij tek zëvendëskryetari i Bashkisë Tiranë z. Andi Seferi për çështjet që lidhen me nënshkrimin e urdhrave për mbështetjen financiare të projekteve artistiko-kulturore të Këshillit Artistiko-Kulturor, për firmosjen e kontratave apo akteve të nevojshme me subjektet apo organizatorët që realizojnë projekte të tilla etj. Pra shumë vite më parë nga data e fakteve objekt hetimi, z. Veliaj ka ndërmarrë hapa konkrete për të deleguar këtë sferë veprimtarie të Bashkisë Tiranë tek një organ kolegjial apo zv/kryetari i bashkisë. Dijenia e tij për përfituesit e këtyre projekteve duhet të provohet, jo të prezumohet”, thuhet në argumentet e palës mbrojtëse.
Dhe më poshtë shpjegohet procedura:
“Vetëm pas kryerjes së këtyre procedurave që zgjasin disa muaj, nga tre nëpunës të rolit regjistrues, zbatues dhe një nëpunës thesari, hartohet urdhri i shpenzimit për projektin kulturor konkret të financuar nga Bashkia Tiranë, bashkalidhur gjithë dokumentacioni i sipërcituar, e në vijim ky urdhër shpenzimi i paraqitet për nënshkrim z. Erjon Veliaj, i cili ka për detyrë funksionale nënshkrimin e akteve të tilla, në cilësinë e organit ekzekutiv të njësisë vendore”.
Avokatët shpjegojnë juridikisht edhe se kryebashkiaku Veliaj nuk ka asnjë rrezik largimi, pasi është person publik, i votuar masivisht në zgjedhjet vendore për disa mandate rresht. Kurse prej vitit 2024 ka qenë në dijeni të procedimit dhe për asnjë moment nuk ka menduar të largohet nga vendi.
“Mes te tjera në apelim theksohet se ‘’nga aktet provohet se z. Erion Veliaj nuk ka asnjë rrezik largimi. Ai është një person publik, i votuar masivisht në zgjedhjet vendore dhe për disa mandate rrjesht drejton Bashkinë e Tiranës. Edhe pse prej muajit Dhjetor 2024 ka ardhur në dijeni të një procedimi penal Nr.27/2024, për asnjë moment nuk ka menduar largimin e tij nga Shqipëria me qëllim shmangien e një dënimi të mundshëm. Prokuroria e Posaçme mund të faktojë nëpërmjet sistemit TIMS se z. Veliaj përgjatë kësaj periudhe kohore ka udhëtuar disa herë jashtë shtetit dhe nëse kishte ndërmend të largohej mund ta kishte bërë në çdo moment”, thekson pala mbrojtëse.
Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë së Tiranës më 10 shkurt 2025 dhe SPAK ka ngritur akuzë korrupsioni dhe pastrim parash për 9 raste ndaj tij. Nën akuzë janë edhe bashkëshorja Ajola Xoxe dhe 6 biznesmenë.
Komente

O Iris qē meresh vetēm me komente tani do tē vēm ty karministre e shqiptarēt do han me lug floriri o Iris gjiris.
PërgjigjuDelegimin e kompetencave per firme Erioni mund t'ja kete bere zevendesit,por si Keshilli artistik i Bashkise si zevendesi qe firmosi a nuk jane nen te njejten cati,a nuk varen te gjithe nga Kryebashkiaku,a nuk kemi te bejme me zinxhir komandues e varesie?! Dhe se dyti,po lejet e ndertimit per 5 ndertuesit kush i firmosi?!
Përgjigju