Veliaj bashkëbisedim me ekselentët e shkollave 'Partizani' dhe 'Besnik Sykja': Jeni një fitore për qytetin; bashkëpunoni gjithmonë me njëri-tjetrin për të ecur përpara

23 Mars, 12:51| Përditesimi: 23 Mars, 13:13

  • Share

Në një bashkëbisedim me nxënësit ekselentë të shkollave “Partizani” dhe “Besnik Sykja”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u tha të rinjve se gjëja më e rëndësishme për të ecur përpara dhe për t’u bërë qytetarë të mirë është bashkëpunimi me njëri-tjetrin. Ai shtoi se nxënësit me 10-ta janë një fitore për qytetin.

“Ju jeni përgatitur për një garë të gjatë, jo për një fitore të shpejtë të ditës. Fakti se, shumica prej jush që tani e di ose jeni shumë pranë vendimmarrjes se çfarë doni të bëheni në jetë, - disa do ndjekin mjekësinë apo marketingun, disa regjinë, dizajnin apo arkitekturën - do të thotë që, secili prej jush sot është bërë edhe qytetar i mirë. Jeni futur si nxënës në këto shkolla, por keni dalë qytetarë. Qytetari është më shumë se sa një nxënës. Një qytetar ka disa dimensione, përtej uniformës dhe provimeve”, tha Veliaj. 

Kryebashkiaku shtoi se nxënësit me 10-a në të ardhmen do të jenë pjesë e 1% të popullsisë me ide krijuese, që di të bashkëpunojë dhe drejtojë në skuadër.

“Në qoftë se jeni në 1% e nxënësve më të mirë sot, gjasat janë që edhe në moshën 20, 30, 40, 50, 60, 70 vjeçare do vazhdoni të jeni te 1% e popullsisë, që mëson, që punon fort, që ka ide krijuese, që di të bashkëpunojë, që di të drejtojë në skuadër. Kjo është fitore për qytetin”, tha ai.

Veliaj ftoi nxënësit ekselentë të mos harrojnë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, pasi vetëm ashtu mund të ecësh përpara.

“Justifikimi se kam shumë mësime, nuk shërbej dot një pjatë supë nuk shkon sepse unë besoj se kush është i mirë i bën të gjitha! Gjen kohë edhe për sport, edhe për shoqërinë, gjen kohë edhe për një festë, por edhe për një shërbim në një qendër sociale, apo për të mbjellë pemë. Ndaj, doja shumë që, së pari t’ju thosha se jam shumë krenar për ju dhe kam shpresë se i gjithë qyteti e ndjen këtë. Së dyti, mos e humbni këtë lidhje që keni me njëri-tjetrin. Nëse do të jeni të aftë që ta mbani këtë lidhje dhe të rriteni bashkë si brez, do bëni gjëra të mrekullueshme”, përfundoi ai.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?