Veliaj i jep medaljen e mirënjohjes së qytetit kampionit të bodybuilding Marin Meksit: Krenar për çdo medalje që vjen në Tiranë nga sportistët elitarë

12 Dhjetor 2021, 13:51| Përditesimi: 12 Dhjetor 2021, 16:16

  • Share

Sportisti i mirënjohur, Marin Meksi, i sapo shpallur kampion në Kupën e Botës që u zhvillua në Portugali, ku ngriti lart flamurin shqiptar, është nderuar me medaljen e mirënjohjes së qytetit të Tiranës, nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Në pritjen që i bëri kampionit të bodybuilding, Veliaj u shpreh se Meksi, përveçse një sportist i talentuar, promovon edhe jetën e shëndetshme dhe nevojën për t’u marrë me sport.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme sot, që mikun tim të vjetër Marin Meksin, një diplomat model në Ministrinë e Jashtme, por edhe një sportist i shkëlqyer, që sapo është kthyer nga Portugalia si kampion në bodybuilding, do të thotë se Shqipërisë nuk i mungojnë talentet,” tha Veliaj.

“Çdo medalje që vjen në Tiranë, në një Tiranë që vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe ne duam të promovojmë sidomos jetën e shëndetshme dhe jetën sportive, jo vetëm për të pasur këtë kulturë të shëndetit, apo këto medalje, por mbi të gjitha edhe për të krijuar karakterin e qytetarit,” deklaroi Veliaj.

Nga ana e tij sportisti u shpreh mirënjohës për të gjithë mbështetjen që Bashkia e Tiranës i jep sportit dhe sportistëve elitarë.

“Të falënderoj në emrin tim personal, por mbi të gjitha në emrin e Federatës së Bodybuilding dhe Fitness-it, për gjithçka që keni bërë për sportin, për rininë, për qytetin. Është vërtet fat të shkosh në një event kaq të magjishëm dhe ndërkombëtar siç është kampionati Botëror i Bodybuilding dhe Fitness-it në Portugali, kur ti ke gjithë mbështetjen e institucioneve të vendit tënd, duke filluar që nga Bashkia Tiranës, nga kryeqyteti, nga vendi ku ti vjen, ku ti ndjen të gjithë solidaritetin institucional shtetëror atë të shtetit shqiptar,” tha ndër të tjera kampioni botëror i bodybuilding.

 

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?