Veliaj inspekton punimet në Kombinat, 300 familjet e dëmtuara nga tërmeti gati të marrin banesat e reja: Partiçkat dhe gjyqtarët na penguan, por s’na bllokojnë dot punët!

21 Gusht, 13:01| Përditesimi: 21 Gusht, 13:54

  • Share

Një zonë banimi dhe me kushte e standarde bashkëkohore, do u japë mundësinë 300 familjeve të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 në Kombinat, që të nisin një jetë të re në apartamentet e që po shkojnë drejt përfundimit dhe dorëzimit.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa inspektoi punimet, tha se do të ndiqet e njëjta metodë në hedhjen e shortit, si në rastin e banesave në zonën e “5 Majit”.

Ai siguroi se pavarësisht betejave penguese nëpër gjyqe nga partitë politike dhe problematikat e hasura me bllokimin e punimeve, Bashkia e Tiranës nuk e ka ndaluar asnjëherë punën.

“Sot është një ditë e bekuar sepse kalojmë nga kur thoshim ‘mjerë ata që humbën shtëpitë e tërmetit’, në ‘lum ata që do të marrin shtëpitë e reja’. Ju jam mirënjohës për punën sepse dua që, kur qytetarët të kthehen nga pushimet në shtator, të gjejnë shkolla të reja, kopshte të reja, çerdhe të reja, dhe sidomos për qytetarët e Kombinatit të japim këto 300 apartamente, që zgjidhin pjesën më të madhe të nevojtarëve. Për të gjithë ato familje që kanë 5 vite që presin të vijë kjo ditë, më në fund kemi këtë lajm të mirë. Sigurisht, këtë lajm të mirë mund ta kishim pasur më shpejt, nëse nuk do kishim pasur problematikat që kemi hasur këtu me bllokimin e punimeve, me partiçka që na kanë çuar në gjykatë, ndërkohë që vetë sot nuk ekzistojnë më, kanë ndërruar emrin dhe janë bërë copë çikë”, tha Veliaj.

Ai përmendi edhe disa raste të projekteve dhe investimeve publike, investime të bllokuara prej ngërçit të krijuar nga disa institucione vendimmarrëse në vend. Kreu i Bashkisë u drejtoi edhe një thirrje publike institucioneve gjyqësore, që të bashkëpunojnë në të mirë të interesit publik, për të çuar përpara punët e qytetit dhe të mos fokusohen tek interesi privat i disa zaptuesve.

“90% të punëve i kemi me gjykatat administrative e civile. Sot vazhdojmë të jemi të bllokuar; pra, po mbarojmë ndërtimin këtu, por nuk kemi filluar te një seksion tjetër, sepse një gjyqtar ka dhënë një masë bllokimi të punimeve. Një gjyqtar tjetër ka dhënë masë bllokimi për parcelat e varrezave në Sharrë. E njëjta gjë me një gjyqtar tjetër: njëri nga ndërtuesit, që ka ndërtuar pa leje mu në buzë të liqenit, ka vajtur në gjykatë dhe gjykatësi, mes interesit publik, - të atyre 250 mijë vetëve që argëtohen tek Parku i Liqenit, që është mushkëria më e rëndësishme e Tiranës, - dhe një zaptuesi, ia ka dhënë zaptuesit. Një gjyqtar tjetër, ka bërë të njëjtën gjë me një çerdhe dhe ne nuk lirojmë dot territorin e çerdhes. Po presim 7 vjet të zgjidhim çështjen e Kopshtit Botanik, e kështu me radhë. Kur të shkruhet një ditë historia e këtij qyteti, do të kujtohen edhe partiçkat, por edhe gjyqtarët, edhe ata që e penguan në mënyrë makabre zhvillimin e këtij qyteti”, tha Veliaj.

Për kreun e Bashkisë, thelbi nuk është vetëm dhënia e shtëpive, por sigurimi i një bashkëjetese cilësore e të sigurt, si dhe krijimi i një hapësire komunitare për banorët. Për këtë arsye, ai kërkoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e banorëve.

“Nëse këtu gëlon jeta, funksionon ndriçimi, kamerat e sigurisë, lulishtja për të moshuarit, parku për fëmijët, dhe për të gjitha këto kujdeset një sy nikoqir, për të mos lejuar amortizimin e impianteve të ujit, ndriçimit, utilitetet e ndryshme etj., atëherë kemi bërë vërtet një kryevepër. Bashkëjetesa është shumë e rëndësishme dhe unë jam i bindur se qytetarët e Kombinatit, siç kanë qenë mbështetës dhe të duruar në gjithë këto peripeci që kemi kaluar, do të jenë bashkëpunues edhe për të gjetur gjuhën dhe krijuar vërtet një formulë për bashkëjetese”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Në zonën ku po ndërtohen banesat e reja në Kombinat, janë parashikuar objekte banimi me 6 dhe 8 kate, për banorët e prekur nga tërmeti i 2019, të cilëve, banesat u janë shpallur të pabanueshme nga ekspertizat, si dhe objekte Administrative dhe Sociale.

Zona do të ketë sheshe urbane ndërthurur me banesa, pedonale dhe rrugë për biçikleta. Ndërtimi i banesave do të jetë gërshetuar edhe me ndërtimin e objekteve arsimore.

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?