Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se shqiptarët e kanë të qartë se cilën alternativë duhet të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ajo është Partia Socialiste. Ai deklaroi se socialistët janë plot energji për marrjen e një mandati të tretë, ndërsa sfidoi Lulzim Bashën që të kandidojë në Tiranë, për t’u treguar qytetarëve nëse ka bërë ndonjë punë kur ishte kryetar bashkie.
“Si unë, si Nini, si Elisa, jemi super të karikuar për një fitore dhe një mandat të tretë në Tiranë. Një fitore për të bërë punë dhe për të mos rrezikuar për të marrë në punë dikë, i cili në çdo punë që është provuar ka dështuar. Si ministër i Jashtëm i fali detin Greqisë me letra, jo me fake neës; si ministër i Brendshëm u vranë njerëz në Bulevard me plumba në mish, si ministër i Transportit e la përgjysmë Rrugën e Kombit dhe sot janë ende duke u ndërtuar urat, kurse si kryetar bashkie i ngeli ora, bëri një ndërtim pa leje për veten e tij dhe për dy vite nuk erdhi punë fare. Ndaj, sfida vlen: Lulzim Basha të kandidojë në Tiranë”, theksoi Veliaj.
Duke u ndalur tek çështja e parkimit nëntokësor te Liqeni, kryebashkiaku tha se nuk do ketë asnjë cenim të kësaj hapësire. Ai u shpreh se përkundër deklaratave që Basha lëshon në televizor ndaj oligarkëve, është po ai që ha dreka e darka me ta dhe merr vila prej tyre.
“Nuk bëhet fjalë për cënim të liqenit. Restoranti ngjitur me Gardën do t’i kalojë bashkisë së Tiranës dhe aty do të bëjmë një parkim nëntokësor për të gjithë ata që frekuentojnë liqenin. Nuk jam unë ai që bën pazare me oligarkët dhe nuk jam unë ai që merr vila nga oligarkët për çdo gjobë dhe për çdo protestë false që ngre. Në kohën e Lul Bashës, për të marrë leje ndërtimi në Tiranë paguhej 1/10 e taksës që paguhet sot. Sot ndërtuesit paguajnë 10-fishin. Sjellja me oligarkët nuk është t’i shash në tv dhe më pas të hash dreka e darka me ta, edhe të marrësh ndonjë vilë si shpërblim për të hequr gjobën që iu vë me protesta false. Sjellja me oligarkët është si sillesh me financat e tyre. Unë jam socialist, jam progresist, jam krenar për këtë dhe besoj se ai që fiton më shumë nga të mirat e këtij qyteti, duhet të kontribuojë edhe më shumë. Kjo është arsyeja që kushdo që ndërton në Tiranë paguan 10-fishin e taksës që paguante në kohën e Lulit dhe të kunatit”, nënvizoi Veliaj.
Lajmi kryesor:
Veliaj për Report Tv: Rindërtimi kauza e fortë e PS për mandatin e tretë, nuk presim fushatën për të mbajtur premtimet
//ReportTv.al