Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot, në orën 16:30, strukturat politike të Tiranës në kuadër të punës për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit. Kryeministri duket i pashqetësuar nga lëvizjet që ka ndërmarrë Erion Veliaj, i cili bëri ankimim në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të 25 shtatorit për shkarkimin si kryebashkiak i Tiranës dhe më pas dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet.
Një ditë më parë, avokatët e Veliajt iu drejtuan sërish Kushtetueses duke kërkuar pezullimin e dekretit të Begajt. Kreu i shtetit i dekretoi zgjedhjet edhe për kryeqytetitin pavarësisht ankimimit të Veliajt me argumentin se ankesën duket ta kishte bërë në Gjykatën Administrative, e jo në Kushtetuese.
Këshilli i Ministrave shkarkoi më 25 shtator nga detyra me kërkesë të Këshillit Bashkiak të Tiranës Erion Veliajn. 4 ditë më vonë kryebashkiaku ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë. Veliaj pretendon për një proces të parregullt ligjor, pasi jo vetëm nuk është dëgjuar, por sipas tij nuk është marrë në konsideratë neni 115 i Kushtetutës, i cili parashikon se kryetari i bashkisë mund të shkarkohet për shkak të shkeljeve të rënda. Veliaj thotë se jo vetëm që nuk ka shkelje të provuara, por edhe mungesa e tij në punë, që u bë shkak për shkarkim, nuk varet nga vullneti i tij.
Edhe pse neni 115 pezullon shkarkimin e Veliajt, Begaj nuk priti Kushtetuesen dhe dekretoi datën 9 Nëntor për zhvillimin e zgjedhjeve në Tiranë. Presidenca argumenton se pezullimi i shkarkimit do të vinte vetëm në rast se Veliaj do ishte ankuar në një Gjykatë Administrative, e do të kishte një vendim prej saj.
Komente
