Një material prej 77 faqesh është dorëzuar nga mbrojtësit e kryebashkiakut Erion Veliaj në GJKKO, duke vënë në pah shkelje ligjore në hetimin e ndërmarrë ndaj tij, e duke argumentuar të gjitha arsyet pse, sipas tyre, hetimet e deritanishme duhet të shpallen të pavlefshme.
Një nga çështjet kryesore të ngritura në kërkesë është fakti se sipas mbrojtësve të zotit Veliaj, prokurori që ka zhvilluar hetimet, Olsi Dado, “në momentin e emërimit si prokuror, nuk përmbushte kriteret e nevojshme që rrjedhin nga legjislacioni përkatës mbi statusin e magjistratit”. Për pasojë, sipas tyre, ai është emëruar në mënyrë të paligjshme. gjë e cila “bën të pavlefshëm jo vetëm vendimin përkatës, por edhe çdo akt të ndërmarrë nga ai në kapacitetin e “prokurorit”.
"Z. Olsi Dado nuk ka plotësuar kushtet e kërkuara me ligj për t’u emëruar prokuror në momentin e dekretimit të tij. Ai nuk ka qenë prokuror, gjyqtar apo oficer i policisë gjyqësore për më shumë se 5 vjet, siç kërkohet nga neni 18 i ligjit nr. 8737/2001 (në fuqi në atë kohë), dhe për pasojë nuk mund të emërohej as me përjashtim nga Presidenti sipas dispozitave për 10% të kuotës. Eksperienca e tij si noter nuk është e përcaktuar në asnjë dispozitë ligjore si burim legjitimiteti për të hyrë në sistemin e prokurorisë.", thuhet në shkresë.
Më tej, kryebashkiaku rendit përdorimin i “një kallëzimi penal të falsifikuar, Nesti Angoni, si bazë për nisjen e hetimeve, pa asnjë verifikim të identitetit të kallëzuesit. Veliaj përmend edhe kryerjen e veprimeve hetimore pa regjistrim të procedimit penal, për të shmangur afatet, kontrollin gjyqësor dhe kufizimet ligjore.
"Mungesa totale e çdo veprimi për të identifikuar autorin e kallëzimit në këtë rast përforcon bindjen se Prokuroria nuk ka ushtruar rolin e saj si filtër institucional, por ka vepruar në mënyrë formale dhe të njëanshme, duke trajtuar një tekst të paidentifikueshëm si të ishte një kallëzim legjitim dhe i verifikuar. Kjo mospërmbushje nuk është thjesht një neglizhencë, por për shkak të pozicionit të personit të kallëzuar, krijon dyshime serioze mbi motivimin e ndjekjes penale, paanshmërinë e hetimit dhe legjitimitetin e të gjithë procesit penal.”
Pjesë e listës së gjatë të argumenteve është sipas tij edhe shmangia e afateve hetimore përmes rregjistrimit të procedimit penal pa emër, sekuestrimi dhe përdorimi i të dhënave kompjuterike pa vendim gjykate apo dhe leximi i korrespondencave private në mungesë të çdo baze e autorizimi ligjor.
"Për të sekuestruar të dhënat kompjuterike apo më tej akoma komunikime private, që ndodheshin brenda në celular, Prokurorët e çështjes duhet të kishin zbatuar paraprakisht përcaktimet e bëra në nenin 208/a të Kodittë Procedurës Penale. Referuar këtij neni Prokurori nuk ka asnjë të drejtë/kompetencë ligjore që të caktojë një ekspert për nxjerrjen dhe marrjen e të dhënave kompjuterike, pa siguruar paraprakisht përmes një kërkese të tij, një vendim gjykate që urdhëron sekuestrimin e të dhënave kompjuterike, përcakton të drejtën për të hyrë, kërkuar dhe marrë të dhënat kompjuterike, si dhe që ndalon kryerjen e veprimeve të mëtejshme me këto të dhëna."
Veliaj pretendon se nuk i është dhënë e drejta për mbrojtje efektive, pasi i është refuzuar koha e nevojshme për njohjen e akteve. Në procesin hetimor sipas tij janë përdorur ekspert të varur nga vetë organi i akuzës, në kundërshtim me standardet e paanshmërisë.
Kryebashkiaku nuk bie dakord edhe me ndarjen e hetimit në disa çështje, të cilin e konsideron një mjet për të cenuar të drejtën për mbrojtje dhe sigurinë juridike. Më tej ai shton se media është përdorur si zgjatim i akuzës, përmes rrjedhjeve të qëllimshme, manipulimit të opinionit publik dhe mosveprimit institucional kur sekreti hetimor rrjedh në publik.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Lajm ne perditesim...
Komente
