Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka bërë një bilanc të arritjeve të dekadës së fundit në Tiranë, duke vënë theksin te përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës dhe lëvizshmërisë urbane.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Veliaj shkruan se Unaza e Madhe, ka sjellë shumë lehtësim për të gjithë qytetarët, ndersa janë krijuar mbi 60 km korsi biçikletash dhe janë shtuar linjat e transportit publik.
'Në një dekadë punë për Tiranën, që rritet çdo ditë, lëvizshmëria ka qenë sfidë jo e vogël. E e kam mirëkuptuar dhe vijoj të mirëkuptoj këdo që shfryn në trafik, teksa çon fëmijën në shkollë apo vete në punë. Falë punëve transformuese që kemi bërë së bashku këto 10 vjet kryeqyteti është kthyer në zemrën e ekonomisë së vendit dhe po përjeton një sukses të jashtëzakonshëm në turizëm. Nuk janë rastësi! Ama, nuk kemi ndenjur duarkryq, edhe për t’i dhënë zgjidhje problemit, në një qytet ku më shumë se 50% e lëvizjeve me makinë bëhen për distanca më të vogla se 1km. E mbani mend kur Tiranën e gjetëm me një trafik kaotik, rrugë pa sinjalistikë, me gropa dhe në gjendje të mjeruar, autobusë që ishin kthyer në oxhakë të dioksidit të karbonit, e lagje ku makinat parkoheshin si konserva sardelesh.
Sot kemi Unazën e Madhe, e cila edhe pse u vonua për vite të tëra nga ata që e kanë luftuar përherë zhvillimin e Tiranës, ka sjellë shumë lehtësim për të gjithë. Kemi krijuar mbi 60 km korsi biçikletash, në një qytet ku nuk kishte asnjë cm hapësirë për to. Transporti publik është shumë herë më mirë se ai që gjetëm sepse shtuam 3 linja të reja dhe rritëm në 375Km nga 169km që ishte, rrjetin e transportit qytetas. Rritëm edhe numrin e linjave rrethqytetase, nga 8 në 17 të tilla, duke dyfishuar flotën e mjeteve të transportit, çka uli frekuencën. Një terminal autobusësh është në funksion dhe tjetri po ndërtohet, dy projekte që lehtësojnë ndjeshëm trafikun në hyrje/dalje. Po ecën edhe projekti me KfË për “Bus Rapid Transit (BRT)”, për korsi të dedikuara autobusi. Për të mos i harruar 5 parkimet nëntokësore dhe 9 sheshe parkimi publike, të cilat nuk i kishim më parë. Ashtu siç Roma nuk u ndërtua në një ditë, Tirana po jeton ditët më të mira', shkruan Veliaj.
Komente
