Pas refugjatëve nga Afganistani, Tirana është gati të mikpresë edhe të larguarit nga lufta në Ukrainë. Nga selia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëri, ku i uroi festën të gjithë besimtarëve bektashinj, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se refugjatët e parë do të strehohen në familjet e Tiranës, ndërkohë që bashkia po merr të gjitha masat e nevojshme nëse ky numër do të rritet.
“Ambasadori më informoi se kamioni me ushqime, që u nis nga Tirana, ka mbërritur në Ukrainë. Kemi edhe dy kamionë të tjerë për të nisur, ndërkohë që kanë filluar të vijnë familjet e para nga Ukraina. Në dy ditët e ardhshme do të presim 40 nëna me fëmijë dhe për këtë, si unë, ashtu edhe ambasadori, duam të falenderojmë familjet e Tiranës. Disa do të strehohen në familje private - pra, shumë familje janë ofruar për t’i mbajtur në shtëpi. Sigurisht, edhe ne si bashki do të përgatitemi që, në qoftë se numrat do të shtohen, do të veprojmë njësoj siç u veprua me refugjatët që erdhën nga Afganistani”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë shtoi se edhe kjo sfidë do të menaxhohet me shumë seriozitet, pa cenuar as strehimin e studentëve në konvikte. “Unë e di, për një vend të pamësuar me këto gjëra, ka gjithmonë histeri - jo na morën konviktet, por nuk ndodhi asnjë gjë e tillë. Sigurisht, për të treguar njerëzillëk, do të duhet të bëhet procesimi i tyre në një mjedis të përkohshëm. Siç e patë, kontingjenti i parë i të ardhurve nga Afganistani, është nisur për në SHBA. Pra, kombet serioze nuk vënë kujën, përkundrazi si familjet tona, që edhe në ditë të vështira, kanë nisur me pak, ashtu edhe një komb sillet si një familje serioze. Askush nuk do të cenohet, as me konviktet, as me apartamentet. Është një gjë që do ta menaxhojmë me shumë seriozitet dhe me shumë përulësi. Është një mundësi që këtë festë, thirrja për të shërbyer, të materializohet në një shërbim konkret”, deklaroi ai.
Ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, i shprehu mirënjohjen qytetarëve shqiptarë dhe institucioneve për mbështetjen në këtë situatë të vështirë për Ukrainën. “Dua të falenderoj qytetarët dhe qeverinë shqiptare për solidaritetin dhe mbështetjen. Kemi një bashkëpunim të mirë me qeverinë, ku kemi 50 fëmijë, të cilët do të shkojnë në shkolla”, tha ambasadori Shkurov.
Ndërkaq, Veliaj theksoi se ky është edhe një moment solidariteti me njerëzit në nevojë, për të mos i vendosur pengesa njëri-tjetrit. “Ky është një moment që, jo vetëm t’i gëzohemi faktit se natyra rilind dhe vjen pranvera, por ndoshta secili prej nesh bën një introspekt të vetes, dhe thotë: a mund të bëhem pak më i mirë, mund të jem pak më i dobishëm? Mund të duhemi më shumë dhe të urrehemi më pak? Mund ta inkurajojmë më shumë njëri-tjetrin, pa i vënë stërkëmbësha? Unë them se e kemi vetë në dorë që të jemi më të mirë me njëri-tjetrin. Le të jemi mirënjohës për njëri-tjetrin, për atë që kemi dhe për atë që Perëndia dhe Abaz Aliu na ka dhënë në Kombin tonë, në tokën tonë, dhe duke u solidarizuar me ata që jetojnë në momente të vështira”, deklaroi Veliaj.
Lajmi kryesor:
Sot festa e Sulltan Novruzit, Baba Mondi uron besimtarët: T’i lutemi zotit që lufta në Ukrainë të përfundojë! Rama: Ju uroj një ditë me dritë brenda vetes
M.Q.//ReportTv.al