Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj gjatë inspektimit të punimeve për rikonstruksionin e rr. "Hamdi Cullaj" në njësinë administrative nr.6. në Kombinat tha se këtë fundjavë 62% e qytetit ka kaluar në furnizim 24 orë me ujë. “Me investimin e ri në Bovillë, që s’ishte bërë për 30 vitesh, kemi kaluar në 62% të Tiranës me 24 orë ujë. Dyfishimi i prurjeve në Bovillë dhe dyfishimi i filtrimit, na kanë prodhuar një rezultat fantastik në terren.
Megjithatë, do të vazhdojmë testimet dhe më vjen mirë se zona që më përpara e mbulonte Kombinati, pra zona e Astirit dhe Yzberishtit, kanë një rritje të ndjeshme të furnizimit me ujë. Ende s’jemi në 24 orë ujë, por nga një herë në ditë me 2-3 orë, të shkosh në 14-15 orë, është si dita me natën. Fakti që banorët janë përgjigjur shumë pozitivisht, do të thotë se duhet të vazhdojmë derisa ta çojmë Tiranën 100%”, theksoi Veliaj.
Veliaj është ndalur edhe te procesi i rindërtimit ku u shpreh se vendimmarrja për prishjen ose jo të pallateve të dëmtuara do të jetë transparente, kurse fjalën e fundit do e thonë inxhinierët. “Përfituesit më të mëdhenj të granteve të qeverisë me pagesa cash janë në Kombinat, sigurisht edhe përfituesit më të mëdhenj të apartamenteve të reja do të jenë familjet e Kombinatit.
Ajo që na mësoi tërmeti dhe pandemia është se nuk duhet të bëhemi gjithologë. Për pallatin do pyesim inxhinierët, do u besojmë profesionistëve të licencuar, që i marrin këto vendime. Kurse ne do bëjmë seanca të hapura në Këshillin Bashkiak, duke filluar ndoshta nga java tjetër. Do të marrim, për shembull, pallatin nr. 35 dhe inxhinieri do të mbrojë vendimmarrjen e tij për prishjen ose jo përballë komisionit të Këshillit Bashkiak”, shpjegoi Veliaj.