Në vijim të Samitit “Pakti i Qyteteve të Lira”, i cili mblodhi në Tiranë shumë kryebashkiakë e përfaqësues vendorë të Europës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim homologun e tij nga Rijeka, Marko Filipovic. Veliaj vuri në dukje faktin se qyteti kroat Rijeka ka mbajtur më herët titullin Kryeqyteti Europian i Kulturës, dhe se Tirana do të ishte e nderuar të mësojë më shumë nga ky qytet, këtë vit që kryeqyteti shqiptar mban të njëjtin titull.
"Kemi shumë për të mësuar nga Rijeka sepse ky qytet ka qenë më herët Kryeqyteti Europian i Kulturës, kurse Tirana është këtë vit Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, ndaj mezi pres një bashkëpunim sidomos në fushën e kulturës, turizmit, në punët e së ardhmes, dhe se si mund t’i rrisim qytetet tona, duke parë nga e ardhmja”, tha Veliaj.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Rijekës, Marko Filipovic, tha se qyteti që ai drejton ka kënaqësinë të mësojë nga qytete me vlerë si Tirana.
“Samiti ‘Pakti i Qyteteve të Lira’ na jep mundësinë të bashkëpunojmë me shumë qytete të Europës, por edhe në mbarë botën. Dua të falënderoj kryebashkiakun e Tiranës për mikpritjen dhe mundësinë për të mësuar nga njeri-tjetri. Kjo, jo vetëm sa u përket praktikave më të mira, por edhe vlerave që ne përfaqësojmë në konteksin europian. Jam shumë i lumtur të ndaj disa nga eksperiencat që ne kemi pasur në rrugëtimin tonë për t’iu bashkuar BE dhe besoj se vënia e tyre në praktikë do të sigurojë, po ashtu, të njëjtin sukses këtu në Shqipëri ", tha Filipovic. Kryetari i Bashkisë së Rijekës mori pjesë në samitin "Pakti i Qyteteve të Lira".