Gjatë takimeve me banorët e Njësisë 4, ku ishte ndalesa e fushatës në Tiranë, Erion Veliaj ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve, si e vetmja garanci për të vijuar punën për transformimin e kryeqytetit. Ai solli shembullin e Pallatit 4, i cili u shpall i pabanueshëm dhe i rrezikshëm për banorët, për të dëshmuar se si me vendime të drejta ata sot kanë përfituar një banesë jo vetëm më të fortë, por edhe më një vlerë dyfish më të madhe se ajo që kishin.
“Jo për parti e për politikë, por këtë e them nga zemra, ne na duhet bashkëpunim! Takova disa miq që ishin tek ai Pallati 4, i famshmi që u politizua. Shkonte ky dhëndri ynë atje e u thoshte banorëve “rrini këtu”. Të tjerë më thonin, “o lali, ke zgjedhjet përpara, lëri të rrinë aty nëse duan të rrinë, pse duhet të bësh sherr”. Disa të tjerë më thoshin, “lëri se është edhe Vit i Ri”. Ndërkohë, Drejtori i Instituti të Ndërtimit na kishte sjellë letrën, e cila thoshte se pallati është i pabanueshëm dhe mund t’i zërë brenda. Ju kujtohet kur ra ai tërmeti në janar? Mund t’i kishte zënë brenda. Ndaj, detyra jonë nuk është që t’iu pëlqejmë të gjithëve. Detyra jonë është që t’iu shërbejmë të gjithëve. Ishte një mënyrë për t’i krijuar këtij komuniteti një super projekt nga Stefano Boeri që në Milano kushton sa frëngu pulën dhe kur e pyet dikë dhe i thua: “Sa të vlen shtëpia sot? Të vlen më pak apo të vlen më shumë?” Nëse shtëpia të vlen më shumë, kjo është gjë e mirë se do të thotë se një gjë që vlente 100 lekë, sot vlen 200 lekë,” u shpreh Veliaj.
Ai u bëri thirrje qytetareve të mos besojnë premtime elektorale për çdo gjë falas, pasi nëse ata që i bëjnë këto premtime vërtet do t’i mendonin ato që thonin, do t’i aplikonin fillimisht aty ku kishin mundësi, si në Shkodër, ku ka aktualisht një kryebashkiak të djathtë.
“Kush beson ende te Sudja, duhet ta mendojë edhe njëherë! Ne e provuam këtë “falas, falas, falas”! Falas thoshte Sudja. Falas ishte dhe torta. Lanë kokrrën e namit, 100-vjetori i Pavarësisë, 100 vjet shtet duke marrë tortën me lopata, legena e sapllake. Ata e kanë Shkodrën, ta bëjnë falas atje, të na e tregojnë si janë falas atje autobusët, taksitë. Një linjë kanë e s’e bëjnë falas. Po të na e provojnë që funksionon, e bëjmë edhe ne. Për sa kohë që njerëzit nuk gënjehen më, e për sa kohë që njerëzit kanë kuptuar që, qyl nuk ka, vetëm me punë, me pasion e bashkëpunim mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme,” argumentoi Veliaj.
Lajmi kryesor:
Veliaj ndalon në Njësinë 4, takohet me banorët: Mora prej të gjithëve falënderimet për punët e kryera! 5 Maji e Bregu i Lumit sot portë hyrëse e Tiranës moderne
//ReportTv.al