Veliaj nderon me “Çelësin e Qytetit” politikanin dhe biznesmenin e rëndësishëm në Kosovë: Mirënjohje e thellë nga populli i Tiranës për ndihmën që dhatë për familjet e dëmtuara nga tërmeti

4 Qershor 2022, 14:13| Përditesimi: 4 Qershor 2022, 14:27

  • Share

Ish Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli u nderua dje pasdite me “Çelësin e Qytetit të Tiranës” nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Në ceremoninë e posaçme, ku mori pjesë edhe zv/Kryeministri Arben Ahmetaj, Veliaj e falënderoi në mënyrë të veçantë ish Presidentin Pacolli për kontributin e tij në rindërtimin e Thumanës, zonës më të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Lajmi se ju do të jepnit një ndihmë prej 1 milion dollarësh për familjet e dëmtuara nga tërmeti ishte ndoshta një nga lajmet më të bukura në javën kur morëm lajmet më të këqija, më të trishta, teksa jetonim përditë me pamjet e nxjerrjes së njerëzve nga rrënojat. Ishte lajmi i parë që na erdhi nga ju dhe nga Kryeministri Rama, i cili më pas hapi ndoshta një kapitull të ri të filantropisë dhe gjithë atë valë solidariteti. Duhet të jetë gjithmonë dikush që e nis i pari dhe kam shpresuar që shembulli juaj do të inkurajojë edhe të tjerët, si një efekt domino, ku dominoja e parë ishit ju dhe të ndjerët ju ndoqën”, kujtoi Veliaj. 

Kryebashkiaku tha se “Çelësi i Qytetit të Tiranës” është shprehje mirënjohjeje dhe vlerësimi maksimal për kontributin e ish Presidentit Pacolli. “Është kënaqësi e veçantë që, në emër të qytetit të Tiranës, të Këshillit Bashkiak, të të gjitha personaliteteve që janë këtu, që përfaqësojnë qeverinë dhe popullin e Tiranës, t’ju akordojmë ‘Çelësin e Qytetit’, si një shprehje mirënjohjeje dhe vlerësimi maksimal, si simbol i asaj që është më e mira mes nesh, edhe në mendje, edhe në shpirt, edhe në zemër, edhe në nerva të forta, për të na drejtuar për më tej. Në këtë periudhë, ku Shqipëria ka kaluar sfida të jashtëzakonshme, duke filluar me tërmetin, pastaj pandeminë, dhe tani me krizën që po kalojmë me çmimet e energjisë, prej rrethanave që nuk varen nga ne, kemi gjithmonë e më shumë nevojë që të shikojmë te modeli juaj. Me shumë përulësi, por edhe me shumë kënaqësi, dua t’ju akordoj ‘Çelësin e Tiranës’”, u shpreh Veliaj. 

Behgjet Pacolli falenderoi kryebashkiakun Veliaj për vlerësimin dhe u shpreh se do të vijojë të mbështesë projekte me rëndësi për kryeqytetin dhe qytetarët shqiptarë. 

“Jam mëse i lumtur që marr Çelësin e këtij qyteti që e dua, të cilin e kam shumë në shpirt, të këtij qyteti me të cilin unë ndaj pothuajse dy të tretat e jetës sime. Kur kam ardhur në Tiranë kam qenë vetëm 28 vjeç dhe kam qenë i lidhur gjithmonë me të. Sigurisht, përshtypjet e mia këtu janë përshtypje edhe të dhimbshme, por kam pasur edhe ditë të lumtura. Një gjë është e sigurt, të cilën e kam ditur që ditën e pare: E kam shijuar mirësinë, shpirtin, e popullit shqiptar këtu. U jam mirënjohës për këtë, nga thellësia e zemrës dëshiroj që të punosh edhe më tutje - e dimë se je duke punuar shumë, por është një fakt shumë i vërtetë se kush punon shumë, ai ka edhe më shumë punë përpara sepse i krijon vetes punë. Puna është e madhe, sfidat janë të mëdha, puna e mbarë të qoftë, ne do të jemi aty që t’ju mbështesim nëse mundemi”, tha Pacolli.

Zv/Kryeministri Arben Ahmetaj tha se pas tërmetit të 2019, Behxhet Pacolli erdhi në Tiranë dhe vendosi të kontribuojë në Thumanë vetëm se ia kërkoi shqiptaria. “Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, pa e ftuar kush, pa i kërkuar kush, vetëm se ia kërkoi shqiptaria dhe zemra e tij, ai erdhi në Tiranë dhe vendosi të kontribuonte zemrën dhe shpirtin në Thumanë. Faleminderit për atë kontribut të ndjerë, të thellë dhe të konsiderueshëm që ti ke dhënë në ato momente të vështira,” falenderoi Ahmetaj.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?