Erion Veliaj dhe Michael Granoff

Veliaj nderon me medaljen e Mirënjohjes së Qytetit kreun e Bordit të AADF: Marrëdhënia jonë me SHBA speciale

10 Tetor 2022, 11:51| Përditesimi: 10 Tetor 2022, 11:52

  • Share

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nderoi sot me medaljen e Mirënjohjes së Qytetit, kreun e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Michael Granoff. Në ceremoninë e veçantë, e zhvilluar në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Veliaj tha se Granoff është personifikimi i raporteve të shkëlqyera të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përkrahjes së tyre, veçanërisht në momente të vështira të vendit, përfshirë edhe sulmet e fundit kibernetike.

Kryebashkiaku nënvizoi se projektet e realizuara bashkë me AADF-në, e forcojnë edhe më shumë miqësinë mes Shqipërisë dhe SHBA. “Një gjysmë urë nuk mund të rrijë dot në këmbë, ndaj besoj se duhet t’ia forcojmë këmbët urës së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA. Projektet që realizojmë bashkë me AADF janë si ato kavot që na lidhin me njëri-tjetrin, që na e bëjnë më të fortë dhe më të sinqertë marrëdhënien tonë. Së bashku po vizatojmë një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë dhe gjeneratat që do të vijnë. Jam shumë i lumtur që para pak ditësh Kongresi Amerikan hartoi një rezolutë për Shqipërinë, për të reflektuar mbi sulmet e fundit që kemi pasur nga Irani dhe forcave të errëta që nuk i duan të mirën vendit tonë dhe fakti se SHBA-të janë sërish të parët që na japin këtë lloj mbështetjeje, na bën të ndihemi të sigurt, na bën të bindur se kemi marrë vendimin e duhur në këtë raport special mes SHBA, Tiranës dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim”, tha Veliaj.

Ai theksoi se falë këtij bashkëpunimi është bërë i mundur jetëzimi i Pazarit të Ri dhe hapja e TUMO-s. “Kemi marrë vendime, kemi ecur shpejtë, për t’u siguruar se disa nga punët e mira që bëmë së bashku me AADF në Tiranë, siç ishte Pazari i Ri, dhe shumë të tjera në vijim, u përshtaten nevojave të kohës dhe punëve të së ardhmes. Kjo është arsyeja pse kemi qenë shumë seriozë duke hapur një qendër si TUMO, një oaz dijeje ku mësojnë fëmijët e këtij qyteti, të përgatiten për punët e së ardhmes, për ato punë që paguajnë më mirë, që nuk kërkojnë që dikush të lërë vendin për të punuar, për ato punë që mund të bëhen duke i marrë aftësitë pa qenë detyrimisht i detyruar për ta kërkuar këtë në një universitet, apo në një shtet tjetër. Sot jam shumë krenar që kemi arritur t’i mundësojmë të gjitha këto punë me çmime të ulëta, dhe disa herë me bursa për ata që janë në nevojë. Unë besoj se ka qenë një histori suksesi”, tha ai.

Kreu i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff falënderoi Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin dhe siguroi se shumë punë të mira do bëhen edhe në të ardhmen. “Për mua çdo gjë është për të ardhmen: zgjedhjet janë për të ardhmen, njerëzit mendojnë për jetën dhe gjithmonë mendojnë për të ardhmen e jetës së tyre. Edhe ne duhet të mendojmë për gjërat që kemi bërë dhe shpresoj që ajo që do të kemi mundësi t’i zgjerojmë ato, t’i bëjmë edhe më mirë, por gjithashtu të flasim edhe për gjerat e së ardhmes, se çfarë mund të bëjmë tjetër, si të realizojmë punë që të tjerët nuk i bëjnë dot”, deklaroi Granoff.

Falë mbështetjes së Fondit Shqiptaro - Amerikan për Zhvillim në Shqipëri janë realizuar një sërë projektesh të rëndësishme, si transformimi i Pazarit të Ri, Piramidës, hapja e qëndrës TUMO, Akademisë së Zhvillimit të Softuerit nga Protik Center, ElementIT project, Crimson Finance Fund Albania dhe programi i bursave LEAD Albania.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?