Veliaj në Kosovë, nderohet me 'Çelësin e Prishtinës': Të lëmë populizmin! Ata që merren me politikë e kanë mision për të bashkuar dhe sheshuar ndasitë

22 Korrik 2022, 13:34| Përditesimi: 22 Korrik 2022, 20:19

  • Share

Në vizitën e tij dje pasdite në Kosovë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u nderua me “Çelësin e Qytetit” nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Kryetarët e dy bashkive diskutuan edhe për projektet e përbashkëta dhe mbështetjen e aktiviteteve të ndryshme kulturore, që i afrojnë edhe më shumë Tiranën dhe Prishtinën. 

Kryetari i Komunës së prishtinës, Përparim Rama theksoi se Tirana është model i transformimit në një qytet bashkëkohor.

“Tirana është transformuar në një qytet për qytetarët përmes vizionit që ka Erioni si kryebashkiak bashkëkohor. Ai ka prurë një frymë të re me transformimin e sheshit “Skënderbej”, i cili më pëlqen pa masë, dhe ka fituar çmimin Europian për hapësirat publike. Përveç kësaj, ka bërë projekte të tjera të ndryshme si shtimi i korsive të biçikletave, për të treguar se qytetet tona e stimulojnë edhe transportin alternativ, sikurse qytetet e tjera europiane. Po ashtu, ka realizuar një numër të madh të projekteve infrastrukturore, që mundësuar lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve. Të gjitha këto e kanë transformuar qytetin në një vend bashkëkohor, me potencial madhor, me një numër të madh turistësh”, tha ai. 

Kryebashkiaku Veliaj tha se ndihet i nderuar për "Çelësin e Qytetit të Prishtinës" dhe u shpreh krenar për arritjet e Kosovës. Ai theksoi se vota nuk duhet përdorur si instrument i populizmit, por shtoi se ata që drejtojnë dhe merren me politikë kanë mision për të bashkuar dhe sheshuar ndasitë.

“Ndihem shumë i privilegjuar dhe i përulur për “Çelësin e Prishtinës”. E konsideroj një shtëpi të dytë, më bëhet zemra mal për çdo sukses dhe për çdo progres. Besoj se kush drejton dhe merret me politikë ka si mision të bashkojë dhe afrojë njerëzit, për t’i sheshuar ndasitë. Patjetër, politika është e rëndësishme, të gjithë duam të marrim vota, por jo vota me çdo çmim dhe jo vota me çdo instrument të populizmit. Besoj se ne të dy e kemi mision, si kryetarë të qyteteve tona, të japim shembullin e parë të vëllazërisë, të miqësisë, dhe t’ju kujtojmë njerëzve tanë se ka shumë gjëra që na bashkojnë. Mund të ketë edhe ndasi - në demokraci biem dakord të mos biem dakord - ama gjërat që na bashkojnë janë të jashtëzakonshme. Jemi një gjak, jemi një gjuhë, ndaj besoj se kjo është politika afatgjatë”, theksoi Veliaj. 

Bashkia e Tiranës do të mbështesë festivalin e mirënjohur DokuFest, i cili mbahet në Prizren dhe është kthyer tashmë në një traditë. “Më vjen mirë që Bashkia e Tiranës edhe këtë vit do të përfshihet në ndihmesë të “Doku Fest”-it në Prizren dhe “PriFest”it, të mikeshës sonë të ndjerë Vjosa Berisha. Më vjen mirë që Prishtina është sot realisht një qytet europian”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

DokuFest, është në mesin e 29 festivaleve nga gjithë Evropa.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?