Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe ministren Bora Muzhaqi, ishin sot në Parkun e ri të Liqenit të Paskuqanit, u shpreh se Tirana dhe Kamza nuk ndahen më sot nga një lumë i mbushur me plehra, si dikur, falë zhvillimit dhe investimeve nga bashkia dhe qeveria.
“Jam shumë i lumtur që jemi këtu, bashkë me kryeministrin, në këtë tur në Paskuqan dhe Kamëz. E kemi nisur me disa takime, por qershia mbi tortë është gjithmonë takimi me të rinjtë. Tirana dhe Kamza rriten si dy anë simetrike buzë lumit, në një lumë që dikur ishte i mbushur me plehra dhe na ndante, por tani po ndërtojmë 7 ura, me ndihmën e Edit dhe një punë të Bashkisë së Tiranës, që na bashkojnë mbi një lumë jo më të pistë, por një lumë të pastër,” tha Veliaj.
“Kur e kam filluar unë punën si aktivist dhe angazhohesha në skuadrën e Edi Ramës, - kanë qenë zgjedhjet e vitit 2011, - një nga idetë vizionare ishte se si Bulevardi i Tiranës, nga një copë e qytetit që e ndante lumi, të kishte mundësi të vazhdonte në anën tjetër, të kishte mundësi që dy parqet, Parku i Madh i Liqenit të Tiranës dhe parku i Paskuqanit të bashkoheshin. Asnjëherë nuk është vonë për t’ju kthyer pas një ideje të mirë. Jam shumë krenar që ajo ide e Edit në atë kohë, sot po bëhet realitet,” kujtoi kryebashkiaku.
Lajmi kryesor:
Rama në Kamzë: Edhe 'Partia e Lekut' ka marrë financime ruse! Me opozitën nuk do të kishim ndryshimet që kemi sot, s’është faji i politikës largimi i shqiptarëve
G.MO//ReportTv.al