Politikë

Veliaj: PD-së i ka ngelur ora në vitet ‘96-’97, e vetmja gjë e pandalshme dje ishte virusi, që gjeti shesh e bëri përshesh

26 Mars 2021, 20:39| Përditesimi: 26 Mars 2021, 21:19

  • Share

Kryebashkiaku Erion Veliaj, së bashku me dy kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste, Pandeli Majko dhe Eljo Hysko, zhvilloi sot një takim me të rinj të Njësisë 5 në Tiranë, të cilëve u theksoi rëndësinë e votës për të shënjuar të ardhmen e tyre. Sipas Veliajt, edhe në këtë fushatë atipike, Partia Socialiste ndryshon nga forcat e tjera politike sepse vendos shëndetin e njerëzve në plan të parë.

“Që këtu ndahemi me palën tjetër: Mbi jetën e njeriut nuk ka asnjë interes tjetër. Partitë janë në funksion të njerëzve dhe jo njerëzit qëllim në vetvete të fitores. Ata thonë, “o burra, bëni një autosallon! Lini makinat dhe të gjithë te tribuna!” E vetmja gjë “unstoppable” ishte virusi, që gjeti shesh e bëri përshesh. Ndërkohë, ne besojmë te politika që e sheh pushtetin si mjet për të arritur qëllimet e njerëzve,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se për Partinë Demokratike makina e shtrenjtë përbën ende një status dhe mjet force ndaj njerëzve të zakonshëm.

“Me atë që pashë dje, praktikisht më i forti, më i bukuri dhe më i miri ishte ai që kishte “Bentley” dhe “Porsche Cayenne”. Ne jemi një parti që themi, më i miri është ai që del me 10-ta, që përfshihet në komunitet, që adopton një gjysh, ose një gjyshe. Kjo nuk duhet të jetë një garë “kush ka automjetin më të madh e më ndotës”. Kjo duhet të jetë një betejë për kulturë, për qytetari”, vijoi Veliaj, duke shtuar se atyre iu ka ngelur ende ora në vitin 1996.

“Më nxorrën “mallin” e viteve ‘96-‘97. Sot jemi në vitin 2021. Përderisa shoqëria është modernizuar, duhet të modernizohet edhe partia, edhe politika. Por qartazi disa njerëzve iu ka ngelur ora në vitet ’96-‘97”, tha më tej Veliaj.

Ai theksoi se Partia Socialiste nuk e merr të mirëqenë votën e qytetarëve, por punon dhe shërben çdo ditë me përgjegjshmëri dhe përulësi.

Ora 20:04
Pandeli Majko lë kostumin, e nis në mënyrën më sportive fushatën mes të rinjve

Me një bluzë sportive ngjyrë të kuqe, me batutat që kurrë nuk i lëshon dhe mes të rinjve që dikur edhe vetë drejtonte, kështu e ka nisur ditën e parë të fushatës Pandeli Majko, i cili garon sërish në “zemrën” e Partisë Socialiste, në Njësinë numër 5.

I shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh drejtues i fushatës së socialistëve për të gjithë Qarkun, Majko ka dhënë disa mesazhe ndaj të rinjve në formate të ndryshme të dy takimeve të zhvilluara, me pyetje të drejtpërdrejta, por edhe duke iu përgjigjur interesit të ndjekësve online, ku është bazuar më së shumti edhe vetë kjo fushatë. 

Ajo që veçoi deputeti socialist ishte pikërisht fakti që ndryshimi në Tiranë e sidomos në Njësinë 5 është mjaft i vrullshëm, në radhë të parë duke iu dhënë më shumë mundësi dhe hapësira të rinjve, siç është dhe shembulli i Parkut Olimpik, një prej investimeve më moderne sportive në kryeqytet prej nga ku nisi edhe bashkëbisedimi me të rinjtë.

“Në çdo fushatë elektorale, pavarësisht se herë vijmë për zgjedhjet lokale, apo për zgjedhjet e përgjithshme, këtu gjithmonë do jetë një godinë e re, një ndryshim i ri dhe realisht Parku Olimpik është duke marrë formë dhe kjo është një gjë e jashtëzakonshme,” tha Majko. 

Ai u shpreh i bindur në fitoren e mandatit të tretë të Partisë Socialiste.

“Kutia e votimit është një stacion ku secili sipas mënyrës së vet e ripërtërin kontratën, jo vetëm në politikë, por edhe marrëdhënien me shpresën, me ëndrrën dhe me të ardhmen. Unë jam i bindur që ne në 25 prill do fitojmë,” deklaroi deputeti socialist, i cili nuk heq dorë nga batutat sa herë i duhet të shpjegojë renditjen e tij në vendin e 19 të listës së PS. “Partia Socialiste është partia e taksës progresiste: Kush fiton më shumë taksohet edhe më shumë,” u shpreh Majko.

1616788729_Sequence03.00020008.Still028.jpg

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?