Veliaj përuron Kopshtin e ri Zoologjik: Radhën e ka transformimi i kompleksit të pishinave dhe Kopshtit Botanik

4 Qershor 2022, 10:36| Përditesimi: 4 Qershor 2022, 10:39

  • Share

1654329276_veliaj.jpg

Tirana Zoo Park hapi sot zyrtarisht dyert për vizitorët e vegjël. Qindra fëmijë u njohën me mjediset e transformuara, kafshët e kopshtit, dhe klasat informative, ku mund të mësojnë gjëra të reja për natyrën. Në hapjen e Kopshtit Zoologjik, Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thanë se ky park i është kthyer qytetarëve, jo vetëm si një hapësirë argëtimi, por edhe si një mjedis edukativ.

“Sot kemi sjellë një filozofi të re, kemi ikur nga ai burgu i dikurshëm, për të cilin dëgjoja kryeministrin kur thoshte se “luani hante papate”. Sot, sidomos kafshët e egra, kanë qindra metra katrorë ku mund të lëvizin, por kemi edhe tre klasa informative për fëmijët. Kopshti i ri Zoologjik nuk është më një tranzit, por destinacion. Ftoj gjithë drejtuesit e institucioneve mësimore që ta shfrytëzojnë këtë hapësirë si një shkollë të dytë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se falë investimeve për transformimin e Parkut të Liqenit dhe të Kopshtit Zoologjik, edhe pronës së komunitetit përreth i është rritur vlera. Veliaj shtoi se komunitetit i janë shtuar edhe 80-90 vende të reja parkimi me parkingun nëntokësor të kopshtit. Nga ana tjetër, Veliaj falenderoi kryeministrin Rama për mbështetjen në realizimin projekteve.

“Për mua është pak më e lehtë sepse kam ndihmën e kryeministrit që ta bëj më mirë këtë punë. Ai ka këmbëngulur që në fillim që, jo vetëm ta çlironim Kopshtin Zoologjik, por të krijonim një hapësirë fantastike për fëmijët, që i rrit vlerën pronës, që e mikpret edhe komuniteti, që e bën kopshtin të denjë të certifikohet nga të gjitha institucionet ndërkombëtare për trajtimin human të kafshëve; është dikush që më ka inkurajuar gjithmonë që, pavarësisht histerisë të të gjithë atyre që thonë këtu do bëhen kulla e pallate, ja ku u bë Sheshi, Pazari, Kalaja, Bulevardi i ri, u bë edhe Këndi i Lodrave tek Liqeni”, tha ai.

Kryetari i Bashkisë theksoi se puna nuk do të ndalet këtu. Veliaj dha lajmin e mirë se pas Kopshtit Zoologjik, do të vijojë transformimi edhe i kompleksit të pishinave pranë Parkut të Liqenit, si dhe Kopshtit Botanik. “Sapo kemi çliruar pishinat dhe do ta transformojmë të gjithë atë hapësirë me të njëjtin zell. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe tek Kopshti Botanik, edhe pse jemi penguar pa sens, me gjyqe idiote, që vetëm pengojnë punën në qytet. Ndërkohë, e pamë fare mirë se kur çliruam “Sami Frashërin” nga gjyqet, kur çliruam shkollën “Kosova” nga gjyqet, puna eci përpara dhe doli në dritë. Secili prej nesh do të mbahet mend nga gjurmët që la, jo nga fjalimet që bëri. Kështu që, me të njëjtin zell, dhe mbështetjen e Edit, do të vazhdojmë edhe tek pishinat, do vazhdojmë edhe tek Kopshti Botanik, për ta transformuar totalisht Tiranën, ashtu siç i ka hije kryeqytetit Europian të të Rinjve”, theksoi Veliaj.


Lajmi kryesor:

Hapet Kopshti i ri Zoologjik në Tiranë! Rama dhe Veliaj inspektojnë ambientin: Ka rilindur! 160 kafshë të 30 llojeve, nga çifti i tigrave te dinozona (FOTOT)


M.Q./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?