Veliaj pret kryebashkiakun e Prishtinës, Përparim Rama dhe i jep Çelësin e Tiranës: Çelim një kapitull të ri bashkëpunimi

9 Janar 2022, 13:28| Përditesimi: 9 Janar 2022, 13:35

  • Share

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot homologun e Prishtinës, kryetarin e sapo zgjedhur te Komunes, Përparim Rama. Në pritjen zyrtare të vizitës së tij të parë si kryebashkiak në Tiranë, Veliaj tha se sot çelet një faqe e re bashkëpunimi mes dy kryeqyteteve. 

“Është një kënaqësi e madhe të mirëpres në Bashkinë e Tiranës mikun tim, vëllain tim, kryetarin e sapozgjedhur të Komunës së Prishtinës, me energji të reja dhe me një frymë jashtëzakonisht pozitive. Vërtet është ditë pushimi, po s’ka pushim kur je kryetar komune. Më vjen mirë që këtë ditë pushimi e kemi një vizitë zyrtare, të parën të Përparimit dhe skuadrës së tij fantastike në Tiranë, për të hapur një faqe të re të bashkëpunimit tonë, ku punojmë më fort, duhemi më shumë, lidhemi edhe bashkëpunojmë më intensivisht se kurrë më përpara,” u shpreh ai. 

Veliaj i dhuroi kryebashkiakut të Prishtinës Çelësin e Tiranës.

“Kemi një traditë në këtë qytet, për ata që i konsiderojmë miq specialë, njerëz të shtëpisë dhe siç bën me çdo vëlla, apo motër që e ke të familjes, gjithmonë ia jep një çelës për t’i treguar se dera është gjithmonë e hapur, je si në shtëpinë tënde. Në emër të qytetit të Tiranës, në emër të Këshillit Bashkiak, në emër të të gjithë qytetarëve që gëzojnë kaq shumë dashuri dhe respekt për Prishtinën, dua të ta dhuroj këtë çelës të qytetit të Tiranës, në shenjë të një dere të hapur, një dashurie të madhe dhe të një bashkëpunimi që na pret,” deklaroi kryebashkiaku Veliaj. 

“Vëlla, faleminderit shumë! Ndihem shumë i emocionuar me këtë gjest tuajin! Faleminderit shumë! E shoh këtë çelës jo vetëm si Çelësin e Tiranës, të qytetit, por një çelës i shumë dyerve që mund t’i hapim ne së bashku. Ndihem i emocionuar për arsye se njihemi prej moti dhe ne kemi qenë miq prej kohësh! Ky pasioni për qytetet tona, për popullin tonë, ka qenë gjithmonë ashtu në diskutimet që kemi pasur dhe tash që jemi në krye të dy kryeqyteteve më të mëdha shqiptare, ky çelës ka një rëndësi shumë të madhe për mua personalisht,” deklaroi kreu i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. 

Veliaj tha gjithashtu se ky është një vit i rëndësishëm për të dy qytetet. 

“Është një sfidë e jashtëzakonshme, por edhe një mundësi e jashtëzakonshme. Unë besoj se Prishtina s’ka qenë kurrë më afër dhe tani që kemi dy mundësi të shkëlqyera, ku Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë, dhe Prishtina do të mikpresë Manifestën, një aktivitet i jashtëzakonshëm i artit dhe i kulturës kjo bienale evropiane, shoh që Zoti na i ka dhënë dy mundësi ideale dhe na e ka dhënë alibinë perfekte që djemtë dhe vajzat tona në gjimnaz dhe në universitet, ata që janë në teknologji, në art dhe kulturë, t’i bashkojmë dhe t’i afrojmë më shumë se kurrë,” deklaroi Veliaj. 

Dy homologët inspektuan edhe një prej investimeve më të rëndësishme të teknologjisë në kryeqytet, Piramidën e Tiranës, e cila do të kthehet së shpejti në qendrën më të madhe të digjitalizimit në Ballkan.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?