Sport

Botërori i Skive/ Veliaj pret Colturin: 2024 viti i rekordeve! Skiatorja: Emocion i veçantë

15 Dhjetor 2024, 12:34| Përditesimi: 15 Dhjetor 2024, 16:36

  • Share

Kryebashkiaku Erion Veliaj përgëzoi skiatoren e Sport Klub Tiranës, Lara Colturi, për arritjen e saj të jashtëzakonshme, vendin e dytë në kampionatin botëror të skive, një sukses i madh për Shqipërinë. Ai u shpreh krenar që flamuri shqiptar u ngrit në podium, duke e quajtur këtë një moment historik sportin shqiptar.

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme të presim në Bashkinë e Tiranës gocën tonë, Lara Colturi, sportiste e Sport Klub Tiranës, e skuadrës së Shqipërisë, e cila ka bërë një punë të jashtëzakonshme bashke me Elvis Toçin dhe gjithë skuadrën e Federatës së Skive, në një vend me logjistikë modeste për sportin e skive, por me një skuadër me super talente. Para se Lara të jetë kampione e botës është një super vajzë dhe ajo që kam parë nga garat është se rrethohet me shumë dashuri. Jemi shumë krenarë për ty”, tha Veliaj.

Duke vlerësuar rezultatet e arritura këtë vit, Veliaj premtoi se “Sport Klub Tirana” dhe bashkia do të japin më shumë mbështetje për sportistët e talentuar.

“Ne do të vijojmë të mbështesim sportistët e talentuar përmes drejtorisë sonë të Sportit dhe Sport Klub Tiranën. Ky vit ka qenë viti i rekordeve. Për herë të parë morëm medaljet olimpike dhe për herë të parë prekim një podium të skive. Eshtë podiumi i parë, por shpresoj jo i fundit. Me shpresë nuk do i ndahemi podiumeve dhe me shpresë gjithashtu, që Lara do jetë një model edhe për vajzat e tjera në Shqipëri dhe do vazhdojë të na bëjë krenarë”, u shpreh kryebashkiaku.

Me të njëjtat emocione si në ditën garës, skiatorja kuqezi rrëfeu përjetimet e këtij suksesi të jashtëzakonshëm.

“Ishte e mrekullueshme! Pas raundit të parë isha e katërta, vetëm një hap larg podiumit. Në fund, mendova thjesht për t’u argëtuar dhe kur pashë se ia dola ishte një emocion i veçantë. Nuk po e besoja dhe ndoshta edhe tani nuk më besohet”, tha Colturi.

Presidenti i Federatës së Skive në Shqipëri, Elvis Toçi, vlerësoi mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit Veliaj, për arritjen e këtij suksesi në ski, që deri më tani është më i madhi në Shqipëri.

Rezultatet e fundit në Botërore e futën Larën në top 10 skiatoret e Kupës së Botës për këtë sezon, ndërsa sfida e ardhshme do të jetë në Semering të Austrisë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Dhendri i Besnik Bekteshit: 15/12/2024 15:49

    Bashkia e Tiranes ka ndertuar nje piste skish ne Dajt.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?