Veliaj pret tenorin kosovar Ramë Lahaj: Në këtë kohë kemi nevojë për inkurajim dhe forcë

29 Nëntor 2020, 14:05| Përditesimi: 29 Nëntor 2020, 14:17

  • Share

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim tenorin e mirënjohur nga Kosova, Ramë Lahaj, i cili me rikompozimin e këngës “Për ty atdhe”, ka sjellë një dhuratë të çmuar për mbarë kombin shqiptar në këtë përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë. 

“Të jemi shumë mirënjohës! Është një dhuratë fantastike, shpirtërore, që frymëzon po aq. Të falenderoj dhe jam i sigurt që flas edhe në emër të kryetarëve të Prishtinës dhe Prizrenit sepse besoj që, në kohë të tilla, kemi nevojë për inkurajim, forcë dhe optimizëm. Na bën shumë krenar”, tha kryebashkiaku Veliaj.

 Ai i dhuroi tenorit diskun e Tiranës 100 vite kryeqytet, një bashkëpunim me BBC, ku janë përfshirë këngët më të vjetra dhe më të dashura në një shekull.

“Në bashkëpunim me BBC kemi mbledhur në një disk disa nga këngët më të vjetra të Tiranës. Meqë na dhurove një rikrijim muzikor për Pavarësinë, edhe ne po të dhurojmë një përmbledhje muzikore për Tiranën 100 vjet Kryeqytet i shqiptarëve”, shtoi Veliaj. 

Tenori Lahaj falenderoi kryetarin e Bashkisë për mbështetjen dhe u shpreh se realizimin e kësaj vepre e ndjente si detyrim ndaj Tiranës, ku është formuar profesionalisht. 

“E kisha shumë të rëndësishme të sillja një mesazh sadopak pozitiv. Shqipëria, Kosova, por gjithë trojet shqiptare, kanë një kulturë, një traditë vërtetë shumë të veçantë. Përveç kësaj, është edhe pjesa e turizmit, që është zhvilluar jashtëzakonisht shumë në Tiranë, e shumëçka tjetër që kanë ndodhur vitet e fundit. Tiranës dhe Shqipërisë ia kam pasur për borxh sepse talenti im ka dalë në pah nga Shqipëria, Tirana, ose më mirë, nga Akademia e Arteve, aty ku unë kam ardhur dhe kërkuar ndihmën e parë. Kjo është më e pakta që mund të bëj”, u shpreh ai. 

Në festën e flamurit, Lahaj ka vendosur të risjellë në një version ndryshe këngën e famshme shqiptare, “Për ty atdhe”. Ramë Lahaj e risolli këtë këngë bashkë me një klip, që pasqyron vlerat, kulturën dhe traditat shqiptare. Tenori nga Istogu përmes një postimi në rrjete sociale, theksoi se kjo këngë ishte dhuratë për ta në këtë ditë feste kombëtare.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?