Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka kujtuar transformimin e Sheshit Skënderbej duke e cilësuar si një nga ndërhyrjet më të rëndësishme urbane të kryeqytetit.
Në një postim në rrjetet sociale, kryebashkiaku thekson se hapësira që dikur shërbente vetëm si rrugë kalimi për automjetet, sot është kthyer në një vendtakim për qytetarët dhe një simbol të identitetit europian të Tiranës.
Postimi i plotë i Erion Veliaj:
Kush e mban mend si ishte Sheshi Skënderbej në vitin 2015?
Një vendgrumbullim makinash, që vinin rrotull nga mëngjesi në darkë, duke ndotur mjedisin, pa pasur asnjë funksion tjetër për qytetarët. Edhe pse quhej shesh, ai nuk kishte funksionin e një sheshi, ku njerëzit mblidhen dhe shijojnë bisedat me njëri-tjetrin; ishte më shumë një vend traziti, se sa një vendtakim.
8 vjet më parë ne realizuam një nga transformimet më të jashtëzakonshme në Tiranë, kur vendosëm ta kthenim atë në një hapësirë kushtuar njerëzve e jo makinave, duke i dhënë atë që i mungonte prej vitesh: të ishte sheshi i të gjithë shqiptarëve - i fëmijëve që luajnë në shatërvane, i të rinjve që nuk rreshtin së bëri selfie apo ndjekin koncertet e Dua Lipës dhe Rita Orës, i prindërve dhe gjyshërve që mund të çlodhen nën hijen e pemëve, por edhe i mijëra e mijëra turistëve që vizitojnë Tiranën dhe surprizohen prej saj.
Transformimi i Sheshit Skënderbej nuk ishte thjesht një projekt urban - ishte një deklaratë për Tiranën që duam: mikpritëse, moderne, e gjelbër dhe me identitet europian.
Sot, është më shumë se një shesh - është zemra që rreh për gjithë qytetin. Çdo hapësirë është menduar për njerëzit në 360 gradë: që nga gurët e marrë prej 32 qyteteve shqiptare, deri te pemët dhe shatërvanet që freskojnë gjatë verës.
Kundër këtij transformimi, si për çdo projekt tjetër që kemi realizuar në Tiranë në 10 vitet e fundit, kishte skeptikë që thanë se s’do funksionojë, do mbetet djerrë, askush s’do ta vizitojë, etj., etj., gjepura si këto. Por, Sheshi Skënderbej u shpall në vitin 2018 si Hapësira më e mirë Publike e Urbane në Europë, duke triumfuar mes 279 projekteve nga 32 vende në konkurrim.
Tani ky shesh është simboli i transformimit të Tiranës, një vend i dashur për ne të gjithë. Faleminderit çdo qytetari që e ka mbrojtur, përdorur dhe dashur këtë shesh si të vetin.
Tirana nuk është thjesht qyteti ku jetojmë; është qyteti që po ndërtojmë së bashku!
Komente
