Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi sot se nisma për landfillin e Sharrës nuk ka qenë iniciativë e Bashkisë së Tiranës e drejtuar prej tij. Duke folur në “Real Story” me Sokol Ballën, ku sqaroi me detaje të gjithë procedurën, Veliaj hodhi poshtë akuzat e opozitës duke theksuar se studimi i IFC është kërkuar nga administrata e Lulzim Bashës në bashki në vitin 2015.
“Me sa kam unë memorie historike dhe dokumentacion në bashki, në viin 2012 z. Olldashi i kërkoi zotit Basha që të bashkëpunojë në lidhje me nevojën për zgjerim dhe nevojën për qeliza të reja tek landfilli i Tiranës. Në atë kohë, sigurisht, çdo kryetar bashkie i përgjigjet pozitivisht qeverisë kur kërkon ta ndihmojë dhe zoti Basha, znj. Tabaku, të gjithë, i janë përgjigjur pozitivisht asaj kërkese. Çështja është se ai investim, që u bë në 2012, nuk mjaftoi. Më pas, ish-kryetari i Bashkisë, z. Basha, me të drejtë, i asistuar nga Banka Botërore, bën një studim me konsulentë të huaj të IFC-së, të cilët shikojnë nevojat për trajtimin e mbetjeve të Tiranës. Tirana atëherë, sigurisht ishte më e vogël - në mos gaboj prodhonte 400-500 ton mbetje në ditë, kurse sot jemi te 700-800 ton/ditë mbetje, kurse për festa kalojmë në 1000 ton/ditë.
Në atë kohë, kolegët e IFC, Bankës Botërore, pasi ndërrohet administrata, vijnë te unë dhe thonë se ka ngelur edhe fundi i konsulencës sepse studimi i fizibilitetit ishte bërë si bashkëfinancim mes Bashkisë së Tiranës dhe Bankës Botërore e IFC-së, dhe e marr të gatshëm raportin. Raporti i bërë nga ajo administratë ka arritur në përfundimin për 37euro/ton. Duke qenë se ishte kryer e gjithë puna para se të vija unë në bashki, i lindi detyrimi kryetarit të bashkisë që t’ia paraqiste qeverisë se çfarë kishte bërë administrata më përpara. Ky është ai raporti i 2015-ës.
Në 2015 qeveria thotë se me çmim 37euro/ton është shumë. Me të drejtë, dhe e refuzon. Pra, Bashkia e Tiranës nuk ka iniciuar kurrë më iniciativa të tilla, pasi mbaroi edhe detyrimet financiare të konsulencës me IFC-në dhe Bankën Botërore”, u shpreh Veliaj.
Lajmi kryesor:
DOKUMENTI/ Bie pretendimi i opozitës për pronësinë e landfillit të Sharrës, Veliaj: 'S'ka qenë asnjëherë në pronësi të bashkisë, shkresa e 2012 e Jorida Tabakut e vërteton këtë
S.G/ReportTv.al